3.5 C
New York
Saturday, December 28, 2024

Buy now

Një nënë në Prishtinë: Nuk kam me çka ta gatuaj drekën e Bajramit

- Advertisement -

Selvije Haliti nuk ka me çka ta gatuajë drekën e Bajramit – një traditë që besimtarët myslimanë do ta shënojnë të mërkurën e 10 prillit.

Thotë se familja e saj 6-anëtarëshe varet nga bamirësit dhe pensioni që merr vjehrra e saj.

“Fëmijët më kanë kërkuar torte e bakllava. Por, nuk kam asnjë cent, as për t’i blerë të gatshme, as për t’i përgatitur vetë”, thotë Selvija.

Familja e saj jeton në një prej banesave të ndërtuara nga Komuna e Prishtinës, në periferi të qytetit, për familjet me kushte të rënda sociale, ato të viktimave të luftës dhe personat me aftësi të kufizuara.

Ajo tregon se dy fëmijë i ka të rinj për punë, ndërsa njërën vajzë të martuar. Thotë se bashkëshorti është i sëmurë dhe nuk punon, ndërsa vetë kujdeset si për familjarët, ashtu edhe për punët e shtëpisë.

“Vetëm vjehrra 95 vjeçe merr pension 100 euro në muaj. Nganjëherë nga kjo shumë i ndajmë 20 euro për ushqime, por pjesa tjetër i nevojitet vjehrrës për barna”, thotë Selvija.

“Ndonjë familjar apo bamirës na sjell ushqime”, thotë ajo kur pyetet se si ia dalin.

“Jeta jetohet gjithqysh. Deri para dy vjetësh kemi marrë ndihmë sociale prej 150 eurosh, por nuk e di përse na e kanë ndërprerë”, shprehet ajo, derisa qëndron ulur në divan.

Përfituesit e ndihmave sociale

Kosova me mbi 1.7 milion banorë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave (ASK), ka 15 skema sociale e pensionale, nga të cilat përfitojnë mbi 321 mijë qytetarë.

Përveç qytetarëve me vështirësi ekonomike, nga skemat sociale përfitojnë edhe personat me aftësi të kufizuara, familjet e dëshmorëve, veteranët e luftës e të tjerë.

Mbi 20 mijë ishte numri i familjeve përfituese të ndihmës sociale – me mbi 78 mijë anëtarë – në muajin shkurt, sipas ASK-së.

Familjet marrin nga 70 deri në 250 euro në muaj, varësisht numrit të anëtarëve.

REL-i pyeti ASK-në se cili është niveli i varfërisë në vend, por nuk mori përgjigje.

Të dhënat e fundit për varfëri të Bankës Botërore dhe të ASK-së janë të vitit 2017.

Sipas tyre, 18 për qind e popullsisë së Kosovës jeton në varfëri, me rreth dy euro në ditë, kurse 5.1 për qind në varfëri të skajshme, apo me më pak se 1.50 euro në ditë.

Se varfëria është ndër problemet më të mëdha që i shqetësojnë qytetarët e Kosovës, e tregojnë edhe gjetjet e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, të publikuara në muajin shkurt.

Në anketën e Pulsit Publik, qytetarët u pyetën për problemet më urgjente me të cilat përballet Kosova aktualisht.

Rreth 29 për qind e të anketuarve përmendën si problem kryesor varfërinë, 19 për qind papunësinë dhe 9 për qind çmimet e artikujve të domosdoshëm të konsumit.

Aktualisht, shkalla e papunësisë në Kosovë është 11.5 për qind, sipas ASK-së.

Shkalla e inflacionit, ndërkaq, sillet në rreth 2 për qind, por çmimet e produkteve dhe shërbimeve kanë mbetur të larta prej se inflacioni ka arritur kulmin më 2022.

Atë vit, Kosova e ka përmbyllur me normë mesatare inflacioni rreth 12 për qind.

Si të zbutet varfëria?

Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale i Kosovës, Skënder Reçica, thotë se, viteve të fundit, varfëria në Kosovë është thelluar, për shkak të inflacionit.

Sipas tij, Qeveria duhet ta eliminojë kriterin ligjor që familja përfituese e ndihmës sociale të mos ketë asnjë anëtar të punësuar, aq më tepër kur bizneset ankohen për mungesë punëtorësh.

Me ligj, ndihma sociale u jepet familjeve me kushte të vështira financiare, të cilat nuk kanë asnjë anëtar të punësuar.

Në momentin kur dikush prej familjarëve punësohet, ndihma sociale ndërpritet.

“Ky kriter paraqet efekt negativ. Anëtarët e familjes duhet të lejohen të punojnë deri në një periudhë kur konsiderohet se të hyrat e tyre janë të mjaftueshme për mbulimin e kostos së shportës mujore. Sepse, baza e ndihmës sociale është e ulët dhe e pamjaftueshme për mirëqenien e qytetarëve”, thotë Reçica.

Si alternativë, ai përmend edhe mundësinë e angazhimit në punë me pagesë në komunitet, si për shembull në mirëmbajtjen e hapësirave ku jetojnë.

Reformimi i skemave sociale duke rritur punësimin ka qenë rekomandim edhe i Bankës Botërore për Kosovën.

Një nga hapat e marrë nga Qeveria e Kosovës me qëllim të rritjes së punësimit, ka qenë platforma “Superpuna”.

Përmes saj, Qeveria subvencionon punëdhënësin duke paguar pagën e punëtorit për gjashtë muaj, në vlerë prej 264 eurosh. Punëdhënësi, pastaj, ka të drejtë ta shtojë vlerën e pagës për punëtorin e angazhuar.

Në shkurt të këtij viti, Qeveria e Kosovës njoftoi se e ka vazhduar këtë platformë të nisur një vit më parë, edhe pse, sipas ekspertëve, ajo nuk është e qëndrueshme.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës ka thënë më herët për REL-in se po punon për reformimin e skemës sociale, por se kur do të mund të ketë ndryshime në praktikë, nuk është e qartë.

Një kredi milionëshe ndërkombëtare për këtë qëllim nuk është miratuar në Kuvend.

Në fqinjësi të familjes Haliti, REL-i takoi javën e kaluar edhe familjen Hajdari, e cila po ashtu jeton në një banesë të ndarë nga Komuna e Prishtinës.

Çifti i kësaj familjeje është me aftësi të kufizuara dhe bashkërisht merr 375 euro në muaj nga shteti.

“Më këtë shumë nuk ia dal… Me 100 euro blej barnat e nevojshme. Ku mbetet ushqimi, vaji, buka… Të gjitha janë shtrenjtuar”, thotë kryefamiljari Naimi.

“E shtyjmë duke kërkuar borxhe te të afërmit”, thotë ai.

Çifti ka një djalë që ende ndjek mësimet.

“Të gjitha pesa i ka në shkollë. Por, dëshirat dhe kërkesat asnjëherë nuk ia kemi plotësuar. Kurrë, kurrë… Po arrijmë ta edukojmë, por e ndajmë nga shokët, kur ka ndonjë organizim apo shëtitje nga shkolla”, thotë Naimi. /REL/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit