Kur ka kaluar rreth një javë nga vrasja e boksierit shqiptar Besar Nimani, familja e tij ngre pikëpyetje mbi rolin e policisë. Edhe pse hetuesit nuk japin asnjë detaj, për vëllanë e tij, motivi është i qartë: HAKMARRJA.
Siç pohon për Westfalen-Blatt, 38-vjeçari kishte pasur një konflikt me autorët e dyshuar të ngjarjes, sepse nuk kishte pranuar të hapte kioskën e tij për shpërndarësit e drogës.
Sipas vëllait të viktimës, ish-boksieri i kishte rrahur kurdët dhe këta të fundit u hakmorën ndaj tij një javë më parë për të ruajtur reputacionin e tyre. Familja e 38-vjeçarit po ashtu akuzon policinë se nuk e mori seriozisht frikën e Nimanit kur zbuloi se i kishin vendosur një gjurmues GPS.
Besar Nimani u qëllua për vdekje mbrëmjen e 9 Marsit në Bielefeld nga dy persona të cilët janë identifikuar e shpallur në kërkim nga policia. Ata janë Ayman Daëoud Kirit dhe Hüseyin Akkurt, të dy 33 vjeç. Autorët konsiderohen nga policia gjermane të rrezikshëm dhe besohet se ata kanë mundur të arratisen nga ky vend.
Nimani po shkonte drejt makinës së tij që e kishte parkuar në afërsi të një restoranti kur autorët iu afruan dhe qëlluan disa herë në drejtim të tij. Autopsia doli në konkluzionin se ai kishte vdekur si pasojë e plagëve të shumta me armë, por mbi të gjitha prej atyre që kishte marrë në kraharor.
Ish-boksieri nga Kosova ishte baba i 3 fëmijëve. Një natë përpara krimit, ai kishte qenë duke kërcyer me miqtë e tij, siç shihet edhe në këtë foto që kanë publikuar mediat gjermane.
Besar Nimani jetonte në Gjermani që prej vitit 1997. Të enjten mbi 1 mijë persona i dhanë lamtumirën e fundit 38-vjeçarit.