Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin G.M, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Vrasje e rëndë.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin G.M dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.
Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit është masë adekuate dhe e domosdoshme, sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij, i njëjti mund të shmanget nga procedura penale, duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si është kryer vepra penale, si dhe mund të ndikojë në dëshmitarë, andaj gjykata vlerëson se lënia në liri e të pandehurit mund të rrezikojë në masë të madhe zhvillimin e drejtë të procedurës penale.