Gjykata Themelore në Ferizaj, departamenti për të mitur, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për shqiptimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj të miturit të dyshuar për vrasjen e rreshterit policor, Muhamed Lika në Kaçanik.
Përmes një komunikate, Gjykata ka njoftuar se ekziston dyshimi i bazuar se i mituri, në bashkëkryerje me madhorët H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K. dhe D.G., me dashje dhe me përgatitje paraprake “ka privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin policor – rreshter Muhamed Lika me detyrë në Stacionin Policorë në Kaçanik.”
“Pasmbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamenti për të Mitur – Shabi Idrizi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 1 prill 2025 rreth orës 23:00 në Kaçanik, përkatësisht në hyrje të një ndërtese, i mituri në bashkëkryerje me madhorët H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K. dhe D.G., me dashje dhe me përgatitje paraprake ka privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin policor – rreshter Muhamed Lika me detyrë në Stacionin Policorë në Kaçanik, në atë mënyrë që viktima pas përfundimit të orarit të punës në ora 22:53, rrugës për në banesën e tij ku i njëjti ishte përcjellë në vazhdimësi nga madhorët deri tek hyrja e banesës së tij, ku pasi që hynë në objektin e banesës ku ai ka jetuar, duke u ngjitur shkalleve, i mituri i shkon nga mbrapa dhe pasi që viktima hynë në objektin banesor, pas tij hyn edhe i mituri ku me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri.” – thuhet mes tjerash në komunikatë.