Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka lansuar sot projektin e rindërtimit të kadastrit, e cila përfshin rreth 70 mijë objekte, ndërtesa kolektive, të cilat nuk janë legalizuar.
Këto ndërtesa kolektive të cilat kanë mbetur të palegalizuara për shkak se ndërtuesit i kanë shitur ato te pronarët aktualë, nuk kanë mundur të legalizohen ende.
Për legalizimin e tyre, projekti i rindërtimit parasheh që të gjitha banesat të maten dhe të incizohen nga Agjencia Kadastrale e Kosovës në bashkëpunim me komunat. Kësisoj, pronarët nuk do të obligohen të paguajnë për punën gjeodezike para se të aplikojnë për legalizim në komunë.
Drejtori i Agjencisë Kadastrale, Avni Ahmeti, tha sot në lansimin e projektit në Prishtinë, se kësisoj qytetarët do të kursejnë nga rreth 150 euro.
“Ky projekt do t’i përfshijë 114 zona kadastrale në 32 komuna. Viteve të mëhershme janë ndërtuar afër 150 zona kadastrale, mirëpo me ndryshimet ligjore janë shtuar kompetencat për komisionin që do të merret me trajtimin e lëndëve gjatë projektit të rindërtimit. Ky projekt do të mundësojë matjen e objekteve, matjen e parcelave, trajtimin ose zyrtarizimin e transkansioneve joformale sepse qysh edhe e dijmë afër 40 për qind të pronave nuk janë në emër të pronarëve faktikë. Ky projekt do t’u mundësojë qytetarëve kryerjen e të gjitha transaksioneve pa pasur nevojë të shkojë te noteri, dhe as të bëjë kontratë të veçantë”, ka thënë Ahmeti.
“Janë diku 258 mijë parcela që do të trajtohen në kuadër të këtij projekti dhe janë dikur afër 70 mijë objekte të cilat shtrihen në këto zona kadastrale. Nëse ndalemi te aspekti financiar për 70 mijë objekte, qysh jeni edhe të informuar, për një objekt veç puna gjeodozike kushton diku 150 euro.”
Ministri Aliu tha se ky projekt do të mund të realizohej vetëm përmes bashkëpunimiz mes Ministrisë dhe komunave. Ai po ashtu tha se do të jetë lehtësim i madh në legalizimin e objekteve.