-3 C
New York
Friday, January 2, 2026

Buy now

Një kacafytje për karrige në kurriz të Kosovës

- Advertisement -

Presidentja Vjosa Osmani ka kërcënuar partitë politike në Kosovë se nëse nuk e votojnë atë, ajo do të formojë parti politike dhe do të dalë në zgjedhje për të marrë elektorat. “Në qoftë se vendosin që jo, atëherë unë e vazhdoj punën në një mënyrë tjetër, nëpërmjet angazhimit politik dhe kurdo që të ketë zgjedhje, atëherë i përballim idetë, nocionet, qëndrimet, energjinë besa e shumëçka tjetër”.

Shkruan: Mero Baze

Natyrisht shigjetat janë mbi LDK, e cila ka dalë e tronditur nga zgjedhjet me një rezultat katastrofik. Herën e kaluar ajo u bë presidente falë votave të LDK-së. Pasi i kishte marrë thuajse gjysmën e elektoratit dhe ia kishte çuar tek Albin Kurti, gjysmën që mbeti e mori në Kuvend.

Tani kërkon që skena të përsëritet. Pra deputetët e LDK-së duhet t’i japin votat për presidente, ndryshe ajo do të krijojë parti dhe do ta përgjysmojë edhe atë LDK që ka mbetur.

Ajo që është shqetësuese në këtë sindromë të nënshtrimit të opozitës në Kosovë, ka të bëjë me faktin që dy njerëzit e pushtetshëm në Kosovë, Kurti dhe Osmani, nuk mendojnë kurrë të ofrojnë diçka nga pushteti për kompromis, por të vetmin opsion kanë ose të gjunjëzojnë opozitën, ose të fusin vendin prapë në zgjedhje.

Kriza njëvjeçare e formimit të institucioneve në Kosovë përfundoi me zgjedhje të reja në prag të vitit të ri, duke mos iu dorëzuar dialogut me opozitën por votuesve. Dhe Albin Kurti arriti të marrë mandatin e kryeministrit pas 10 muajsh krize, duke bllokuar gjatë formimit të parlamentit dhe në fund edhe krijimin e qeverisë.

Tipari kryesor i asaj krize ishte që opozita ose duhet të nënshtrohej, ose nuk do kishte qeveri.
Në traditën e mëhershme të Kosovës, partia fituese ka toleruar duke i ofruar pushtet opozitës. Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi 47 deputetë në zgjedhjet e vitit 2004, po aq sa Albin Kurti në zgjedhjet e shkurtit, por i ofroi kryeministrin Ramush Haradinaj për të zgjidhur krizën dhe vetë mori Presidentin. Pra, LDK ofroi pushtet për të ruajtur shtetin, ndërsa Albin Kurti ofroi dërrmimin e institucioneve të shtetit për të mos dorëzuar pushtetin.

Tani kjo krizë u zgjidh pas një viti dhe ka filluar kriza e re.
Por nëse Albin Kurti kërcënonte duke pasur një numër të madh mandatesh dhe natyrisht narcizmin e udhëheqësit që nuk mund t’i shtrijë dorën armikut, Vjosa Osmani nuk ka aktualisht një parti. Votat që ia ka marrë LDK-së ia ka dhënë tanimë Albin Kurtit. Ata që janë mbështetës të Vjosa Osmanit brenda elektoratit të LDK-së shikohen nga rezultati që ia kanë dhënë votat Albinit.

E vetmja gjë që mund të përsëritet  në zgjedhjet pas tre muajsh është rezultati i mirë i Albinit dhe rezultati katastrofik i Abdixhikut. Por edhe kështu Abdixhiku është një lider i vdekur. Vjosa Osmani as e ngjall dot duke e marrë në ombrellën e pushtetit të saj, as s’ka çfarë t’i bëjë më keq.

LDK praktikisht është nën shantazh që ose të pranojë Vjosa Osmanin presidente, ose të dorëzohet duke u shkatërruar. Natyrisht, nëse nuk zgjedh një lider të ri që ta ringrejë në këmbë, do të shkatërrohet, mjerisht nga ata që flasin në emër të ‘rugovizmit’

Kjo është një krizë që e zgjidh shumica e Albin Kurtit duke ofruar qeveri koalicioni të gjerë qysh tani për të shmangur zgjedhjet pas tre muajsh dhe për të mos vazhduar lojën vrastare për Kosovën, duke lënë vendin edhe një vit tjetër pa qeveri tanimë për karrigen e Vjosa Osmanit.

Kosova nuk mund të vazhdojë të kalojë nga kriza në krizë, një herë për Albinin e një vit për Vjosën. Kjo është kacafytje për karrige në kurriz të Kosovës dhe jo mesazh pozitiv nga një vend që kërkon të ndërtojë një shtet të ri: demokratik, tolerant, bazuar mbi institucione të forta dhe jo mbi politikanë “të fortë”.

Të ngjashme

Të fundit