24.5 C
New York
Friday, August 15, 2025

Buy now

Një javë nga publikimi i dispozitivit: Pse Gjykata Kushtetuese po e vonon publikimin e arsyetimit të aktgjykimit?

Sot është bërë një javë që Gjykata Kushtetuese ka publikuar dispozitivin për aktgjykimin e dytë rreth ngërçit politik në vend. Ndonëse pritej që shumë shpejt të nxirret në publik përmbajta e plotë e aktgjykimit në fjalë, ende nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

Vonesa e publikimit të arsyetimit të aktgjykimit nuk po shihet si e zakonshme.

Madje, kjo vonesë ka filluar të nxis edhe dyshime të ndryshme.

Mospublikimi i aktgjykimit të plotë po e vonon edhe zbatimin e tij dhe fillimin e afateve të parapara për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Në pikat e fundit të dispozitivit tregohet se masa e përkohshme për pezullimin e punës së kuvendit vazhdon deri në publikimin e aktgjykimit.

“TË VAZHDOJË, njëzëri, masën e përkohshme të vendosur më 24 korrik 2025 deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi; T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve; TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës; TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve”, është thënë në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili është publikuar javën e kaluar.

I habitur me këtë vonesë është shprehur edhe avokati Arianit Koci.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se nuk e di se kujt po i shërben Kushtetuesja me këtë vonesë.

“Gjendja politike është alarmante. Nuk kemi kohë. Pse Gjykata Kushtetuese e vonon kaq shumë arsyetimin? Kujt po i shërben? Në fund, ne kemi faj. Populli. Nuk reagojmë, nuk protestojmë! Veç ankesa në rrjete sociale, prej rehatisë së shtëpisë. E politikanët po e shfrytëzojnë këtë pasivitet qytetar”, ka shkruar Koci.

Nga publikimi i dispozitivit të gjitha palët janë në pritje të publikimit të arsyetimit.

Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se është në këtë pritje.

“Duhet ta presim aktgjykimin e plotë. E kemi pasur me 26 qershor, me 8 gisht, por ky me 8 gusht është vetem njotim”, ka thënë Kurti në fillim të kësaj jave.

Kurse, sot nuk ka dashur të komentoj vonesën e publikimit të aktgjykimit.

Ai i është shmangur pyetjeve të gazetarëve për këtë çështje.

Në dispozitivin e aktgjykimit, i cili është publikuar të premten e kaluar, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se kryesuesi u seancës, Avni Deharin, e ka shkelur Kushtetutën kur e ka ndryshuar agjendës e seancës konstituive.

Gjykata e ka urdhëruar deputetin Dehari që të vazhdojë seanca për zgjedhjen e kryetar të Kuvendit përmes votimit të hapur.

Sipas dispozitivit, ky votimi mund të realizohet vetëm deri në 3 herë për kandidatin e njëjtë. Gjithashtu gjykata ka urdhëruar deputetët që gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të jenë të pranishëm dhe të votojnë.

Ndërsa, në piken e fundit të dispozitivit është thënë se seanca konstituive duhet të përfundohet brenda 30 ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi.

Të ngjashme

Të fundit