Ka kaluar një javë që kur lideri i VV-së, Albin Kurti, është mandatuar nga presidentja për formimin e qeverisë së re, por ai nuk ka bërë asnjë hapë deri me tani në këtë drejtim.
Për këto tetë ditë që është propozuar për formimin e shumicës së re parlamentare, i pari i VV-së nuk ka dhënë asnjë shenjë se po bën ndonjë përpjekje për t`i siguruar numrat e nevojshme për qeverinë Kurti 3.
Vetëm kur është pyetur nga gazetar, Kurti ka thënë se do të fillojë komunikimin me partitë të tjera.
Mungesa e këtyre veprimeve për njohësit e rrethanave politike do të thotë shumë.
Politologu Agon Maliqi ka thënë se kjo tregon se Kurti nuk është i interesuar për formimin e qeverisë së re.
“Kaloi një javë që kur Kurti u mandatua për ta ndërtuar një shumicë. A nuk po ju lë përshtypje që ai as nuk po mundohet me kriju qeveri, dhe nuk po e jep asnjë sinjal për diçka të tillë? Bile paska gjetë kohë me shku deri në Holandë, edhepse ka afat një javë para se topi me i kalu partisë së dytë. Nëse nuk ka qenë e qartë zhagitja e qëllimshme prej shkurtit e deri sot, tash besoj është mëse e qartë. Meqë po shihet se po shkojmë drejt zgjedhjeve të parakohshme, e pakta që partitë e ish-opozitës mund ta bëjnë para shpërbërjës së këtij kuvendi është votimi i një qeverie teknike, i buxhetit 2026 si dhe miratimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë mbetur peng”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Partitë opozitare kanë bërë me dije se nuk kanë asnjë komunikim me liderin e VV-së.
Deputeti i LDK-së, Paris Guri, ka thënë se Kurti nuk i ka dërguar ndonjë ftesë ët re kësaj partie për bashkëpunim.
“Jo, ne nuk kemi pasur ftesa zyrtare. Ne i kemi pasur disa ftesa të cilat kanë qenë publike prej LVV-së në drejtim të LDK-së për një koalicion të mundshëm ndërmjet LDK-së dhe LVV-së, të cilat edhe ne publikisht i kemi refuzuar për arsye që mendojmë se nuk është i duhur një koalicion mes LVV-së dhe LDK-së”, ka thënë ai për EO.
Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në një konferencë për media që është mbajtur më 15 tetor, ka deklaruar se nuk ka komunikim me Kurtin.
“Nuk kam kurrfarë kontakti as komunikimi me Vetëvendosjen. Nuk pres kurrfarë kërkese, por po e them përmes juve kot e dërgon kërkesën se për këtë çështje as që e diskutojmë me Albin Kurtin çfarëdo lloj qeverie në çfarëdo opsioni. Kjo është e qartë prej datës 10 shkurt, e ka thënë Bedri Hamza. Qëndrimet tona janë konsistente”, ka deklaruar Krasniqi. /Tëvë1/