Në disa vende në Beograd sot janë shfaqur pllakata me Slobodan Millosheviqin, nën të cilin shkruhet “Kosova është Serbia”. Autor i këtyre pllakatave është lëvizja “Nashi”, e njohur për sulmet e shpeshta ndaj mediave dhe gazetarëve, shkruan Nova.
Një nga vendet ku u vërejtën pllakatat është në urën e Brankovit. Këto pllakata kanë dalë një ditë para vazhdimit të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel, ku do të marrin pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç.
Lëvizja “Nashi”, e cila ka si udhëheqës ligjëruesin fetar Ivan Ivanoviç, është specializuar në këtë lloj pllakatash dhe shpesh sulmon politikanët opozitarë dhe mediat.
Financimi i aktiviteteve të kësaj lëvizjeje dhe printimi i pllakatave nuk është njohur publikisht, dhe lëvizja ka qenë objekt kritikash për aktivitetet e saj kundër opozitës dhe shtëpive mediatike.
Gjykata Kushtetuese e Serbisë në vitin 2012 ka refuzuar propozimin për ndalimin e punës së shoqatës së qytetarëve “Naši”.