Deputeti i zgjedhur nga Partia Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka reaguar rreth ngjarjeve të fundit në seancën konstituive në Kuvend, ku për dy herë radhazi është ndëprerë në pikën e parë të rendit të ditës, lidhur me raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve.

Përmes një shkrimi në Facebook, Berisha një ditë para mbajtjes së radhës së seancës konstituive ka konfirmuar votën pro vazhdimit të procesit në Kuvend.

“Jam i gatshëm ta votoj për të mirën e Kosovës, komunitetit tim Egjiptian dhe të gjithë qytetarët pa dallim!
Nuk jam për bllokimin e proceseve që i shërbejnë qytetarëve, stabilitetit të vendit dhe zhvillimit institucional”, ka shkruar Berisha.

Tutje ai thotë se kjo nuk është nënshtrim, por qëndrim i pjekur politik që i vë interesat e qytetarëve mbi kalkulimet e ngushta të partive.

“Kemi nevojë për një klimë bashkëpunimi, jo për një kulturë përçarjeje. Për hapa përpara, jo për rrënim të njëri-tjetrit.
Prandaj sot pyes publikisht juve : A është më me rëndësi të qëndrojmë të ngujuar në luftë politike, apo të veprojmë me mendje shtetformuese, duke mbështetur çdo hap që e çon Kosovën drejt një të ardhmeje më të mirë? Sepse në fund të fundit, nuk jemi zgjedhur për të fituar debate, por për të sjellë zgjidhje. I mirëpresim mendimet tuaja e që janë shumë të vlefshme për ne!”, shkruan ndër të tjera ai.

Postimi i plotë:

Shpërndaje