Tim Scott, i vetmi republikan afrikano-amerikan në Senat, hapi të hënën zyrtarisht fushatën presidenciale për vitin 2024, në një përpjekje që mesazhi i tij të arrijë të bindë votuesit republikanë, të cilët vazhdojnë të mbështesin në shumicë ish-Presidentit Donald Trump.
Në fjalimin para mbështetësve, në qytetin e tij të lindjes në North Charleston të Karolinës së Jugut, 57 vjeçari Scott, foli për përvojën e tij personale, i rritur në varfëri vetëm nga nëna e tij, duke e ofruar atë si një provë se Amerika mbetet vendi i mundësive.
Ai theksoi përparimin që Shtetet e Bashkuara kanë bërë në çështjet racore në dekadat e fundit, duke thënë sikurse ka bërë shpesh, se SHBA-ja nuk është një vend racist. Ndërkohë, ai sulmoi demokratët për përpjekjen për të nxitur ndarje racore, për përfitime politike.
Me vetëm 1% të mbështetjes në mesin e republikanëve të regjistruar, sipas një sondazhi të agjencisë ‘Reuters’ dhe kompanisë së sondazheve ‘Ipsos’, zoti Scott përballet me një betejë të vështirë në përpjekjen e tij për të qenë kandidati zyrtar i republikanëve që do të përballet me Presidentin demokrat Joe Biden.
Rreth 49% e republikanëve pritet të votojnë për ish-presidentin Donald Trump, sipas sondazhit të Reuters/Ipsos. Rivali më i afërt i tij, guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, do të hyjë në garë në ditët në vijim, sipas burimeve në dijeni të planeve të tij.