Njazi Thaçi, ish- Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës ka reaguar ndaj akuzave të ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja duke thënë se sa ka qenë në krye të KEK-ut, kjo ndërmarrje ka arritur rekorde, për cka shton edhe se “asnjëherë gjatë kohës sime nuk i është rritur fatura qytetarëve të Kosovës, sepse KEK-u ka prodhuar energji elektrike dhe nuk kemi importuar 800 milionë euro, siç ka ndodhur në këto pesë vite”.
Thaqi në reagimin e tij, Mujën e ka quajtur sekser të arekditimit të kolegjeve private, dhe që sipas tij të gjitha informacionet që ai i dhanë konferencën për media të mërkurën janë mashtrim i pastër.
Reagimi i Thaqit pa ndërhyrje
Sa kam qenë në krye të KEK-ut, kjo ndërmarrje ka arritur rekorde
Demantim ndaj deklaratave të Armend Mujës
U detyrova t’i reagoj një mashtruesi publik, “sekserit të akreditimit të kolegjeve private”, i cili del me shpifje sa herë ka fushata elektorale. Kontrata që ai e prezanton është kontratë EFET, një kontratë kornizë e nënshkruar njësoj sikur me të gjithë operatorët tjerë të licencuar, por pa asnjë obligim financiar – vetëm me rregulla të përgjithshme tregtimi.
Le të tregojë ky “sekser” sa MW import ka realizuar kjo kompani gjatë kohës sime në KEK.
Përgjigja është: Zero MW.
Po ashtu, zero është edhe eksporti.
Pa dashur të futem në gënjeshtrat e tjera që ai tha, por jam i detyruar ta theksoj: të gjitha informacionet që ai dha janë mashtrim i pastër. Ato janë emrat e kompanive nga vijnë ofertat, jo burimi i energjisë. Si është e mundur, sipas tij, të merret energji nga Shqipëria apo Maqedonia kur ato shtete importojnë vetë dhe nuk kanë suficit?
Si ka mundur që energjia të vijë nga Danimarka, kur dihet se Danimarka është vendi i tretë në Evropë me energjinë më të shtrenjtë?
Prandaj e pyes publikisht këtë mashtrues:
1. Sa MË ka importuar apo eksportuar NOA nga KEK-u gjatë kohës kur unë kam qenë Drejtor?
2. Le të tregojë sa MË kanë importuar apo eksportuar ata që prej vitit 2021 kur kanë ardhur në pushtet.
3. Sa kapacitete të reja gjeneruese kanë instaluar këta në pesë vjet pushtet?
4. Le të tregojë kur kanë qenë të planifikuara të instaloheshin filtrat në Kosova B, kur kontrata është nënshkruar në vitin 2019, me fillim punimesh në njërin bllok në vitin 2020 dhe në tjetrin në 2021.
5. Përse u vonuan dhe përse një bllok i Kosovës B do të qëndrojë i ndalur plot tri vite – 2025, 2026, 2027? Pse nuk u shty modernizimi vetëm për një vit, që gjatë periudhës së ndaljes për instalimin e filtrit të përfundonte edhe modernizimi?
6. A e di ky që për shkak të këtij mosplanifikimi importi është rritur për 150 milionë euro në vit, gjë që ka shtyrë ngritjen e tarifave dhe do të sjellë rritje edhe më tutje?
7. Çfarë ka bërë ky pushtet për minierat, kur është e ditur se edhe pse Kosova ka rezerva të mjaftueshme qymyri, ai duhet të nxirret? Ndërkohë makineritë janë të vjetruara dhe për pesë vjet nuk ka pasur asnjë investim kapital.
8. Kush e dështoi Termocentralin “Kosova e Re”, i cili sivjet do të duhej të vihej në punë dhe të prodhonte 500 MW/h?
Mafia energjetike nuk luftohet me konferenca për shtyp e me deklarata boshe, por me punë konkrete, me instalim kapacitetesh të reja – veçanërisht atyre me thëngjill. Këta i kanë stagnuar të gjitha, me qëllim që të rritet importi. Kushdo që vjen në pushtet, nëse urgjentisht nuk fillon ndërtimin e një termocentrali të ri dhe investimet serioze në kapacitetet ekzistuese, në fushatën e ardhshme do të dëgjojmë të njëjtat përralla; ndërkohë Hamoviqat, Stanishiqat e Mihajloviqat vetëm do t’i fërkojnë duart.
Armend, ti je sekser. Ke qenë i akuzuar me fakte dhe kurrë nuk është dëshmuar pafajësia jote; vetëm është përshkruar lënda, sepse ndoshta do duhej të ishe në burg.
Të gjitha ato lëndë për të cilat ti po shpif janë hetuar nga organet e drejtësisë, si vendore ashtu edhe ndërkombëtare. Këtë e kam dëshmuar edhe në Komisionin Parlamentar.
Sa kam qenë në krye të KEK-ut, kjo ndërmarrje ka arritur rekorde. Kam ndërtuar strategji afatgjata, kemi arritur rekorde si në prodhimin e energjisë elektrike, ashtu edhe në miniera dhe në të gjitha njësitë e KEK-ut. Jam krenar që kam avancuar të drejtat e punëtorëve, kam ngritur pagat e tyre dhe kam realizuar shumë të drejta të tyre. Ndihem krenar për secilin prej tyre, sepse së bashku e kemi mbajtur stabile këtë ndërmarrje – dhe asnjëherë gjatë kohës sime nuk i është rritur fatura qytetarëve të Kosovës, sepse KEK-u ka prodhuar energji elektrike dhe nuk kemi importuar 800 milionë euro, siç ka ndodhur në këto pesë vite.






