Sekretari për Marrëdhënie me Publikun i NISMA-s Socialdemokrate, Endrit Shala, ka deklaruar se partia e tyre ende nuk ka pranuar ndonjë ftesë zyrtare nga Presidentja Vjosa Osmani lidhur me konsultimet e paralajmëruara për datën 15 maj.

“Jo, deri më tani NISMA Socialdemokrate nuk ka pranuar ndonjë ftesë zyrtare për pjesëmarrje në konsultimet e paralajmëruara nga Presidentja,” u shpreh Shala.

Ai gjithashtu theksoi se qëndrimet politike të partisë i artikulojnë vetëm përfaqësuesit zyrtarë të saj.

“Unë dua të nënvizoj se për qëndrimet politike dhe institucionale të NISMA-së nuk delegohen, për to flet vetë NISMA, përmes kryetarit të saj apo përfaqësuesve zyrtar të saj,” shtoi ai për FrontOnline.

Shala theksoi rëndësinë e respektimit të përfaqësimit parlamentar në të gjitha komunikimet institucionale, duke kërkuar që ato të zhvillohen në mënyrë të dinjitetshme për secilin subjekt.

“Si subjekt parlamentar, ne presim që çdo komunikim institucional të zhvillohet me respekt ndaj përfaqësimit të secilit subjekt në Kuvend,” përfundoi Shala.