Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) mbrëmë i ka shpallur Laureatët e Vitit 2022. Mirëpo, kjo ceremoni ka vënë shkëndija tensioni në mes Komitetit Olimpik dhe Federatës së Futbollit të Kosovës.
Për shtëpinë e futbollit kanë shkuar dy çmime. Njëra për kombëtaren e Kosovës, që është zgjedhur më e mira e vitit dhe një çmim special i është dhënë Vedat Muriqit,
Këto çmime nuk i kanë përmbushur apetitet e FFK-së. Kjo e fundit, siç mëson Gazeta Express e kishte nominuar kryetarin e saj, Agim Ademi për çmimin special, por KOK-u nuk ia ka dhënë fare këtë çmim Agim Ademit, duke zgjedhur Vedat Muriqin.
Çmimi special i KOK-ut jepet për individët që kanë treguar arritje të veçanta gjatë një viti kalendarik.
Kjo ka bërë që Ademi të ndahet i pakënaqur me këtë ceremoni të KOK-ut, prej të cilës doli duarthatë, shkruan Express.
Dhe tani, nga tabori i Ademit ka filluar kritikat për Komitetin Olimpik dhe kryetarin e tij, Ismet Krasniqi, për të cilin po thonë se nuk ia ka dhënë çmimin Ademit ose nga xhelozia ose nga frika e Ministrisë së Sportit, e cila vazhdon ende që disa muaj të mos e licencojë Federatën e Futbollit të Kosovës.
FFK nuk ka raportuar as në web-faqen e saj zyrtare për çmimet që institucioni më i lartë sportiv në vend ia ka ndarë kombëtares së futbollit dhe yllit të saj, Vedat Muriqit