Në fund të muajit gusht, policia ka nisur një kërkesë zyrtare në drejtim të Ministrisë së Rozeta Hajdarit duke i kërkuar informacione lidhur me hetimet penale për një rast të ri. Dokumenti i Policisë, të cilin e ka siguruar Paparaci, i ka pasur dy kërkesa që lidhen direkt me ministren në detyrë. Krejt kjo ka ndodhur vetëm një muaj pasi ishte raportuar se aktakuza e Prokurorisë Speciale ndaj ministres në detyrë Hajdari pritej të dorëzohej në Gjykatë për skandalin e Rezervave Shtetërore.
Ende pa u mbyllur afera e Rezervave Shtetërore me aktakuzë ndaj ministres në detyrë Rozeta Hajdari, policia ka trokitur në dyert e Ministrisë së Tregtisë për hetimin e një rasti të ri penal.
Paparaci ka siguruar memorandumin zyrtar të Policisë së Kosovës, të lëshuar më 26 gusht me të cilin i kishte kërkuar Ministrisë të gjitha vendimet që ka nënshkruar Hajdari prej 27 marsit të vitit 2025.
“Bazuar në kërkesën për grumbullimin e informacioneve relevante, të lëshuar nga PSRK PPS nr.75/2025, kërkojmë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, të na ofrojë të dhëna lidhur me Ministren në Detyrë, znj. Rozeta Hajdari dhe atë shkresat si në vijim: Vendimet e nxjerra nga znj.Hajdari prej datës 27.03.2025 e tutje; Të dhëna mbi pagat mujore, pagesat për udhëtime zyrtare të znj.Hajdari prej datës 27.03.2025”, thuhej në memorandumin e Policisë.