Një numër i madh i zyrtarëve të policisë nga Rajoni i Gjakovës, në mesin e tyre edhe eprorë të lartë, kanë përfunduar mëngjesin e sotëm në pranga të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).
Operacionit të sotshëm, që po përkrahët edhe nga AKI-ja, i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të madh të zyrtarëve policorë.
Ata dyshohet me bazë se janë të përfshirë në “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” që një kohë të gjatë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, përfshirë edhe stacionin e policisë kanë qenë të mbushur me hetues të IPK-së, prokurorë e zyrtarë doganor.
Burimet e IO kanë thënë se në pranga kanë përfunduar edhe eprorë të lartë të policisë të cilët dyshohet se janë të përfshirë në dallavere në pikën e kalimit kufitar në Qafë Prush dhe Qafë Morinë.
Ky hetim i IPK-së është zhvilluar në koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) duke përfshirë edhe masa të fshehta të hetimit dhe bashkëpunim edhe me agjenci të tjera.