Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ka arritur tashmë në Presidencë për takim me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, në kuadër të një serie takimesh që e para e vendit pritet të zhvillojë këto dy ditë me krerët politikë në kërkim të një zgjidhje për ngërçin në Kuvend.
Para Krasniqit, Osmani ka pasur një takim dy orësh me kreun e VV-së, Albin Kurti, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kurti pas takimit tha se afatet e dhëna në Aktgjykimin e Kushtetueses po rrjedhin dhe se do të bëjnë çmos që edhe me konsensus të konstituojnë Kuvendin.
“Porsa e përfunduam takimin me znj.Osmani lidhur me konstituimin e Kuvendit, në dritën e aktgjykimit. Afatet po rrjedhin. Do të bëjmë çmos që në frymën e bashkëpunimit dhe gjithashtu me idenë e konsensusit ta realizojmë këtë gjë, që më pastaj të kalojmë te formimi i qeverisë së re”, deklaroi Kurti.
Ai tha se duhet pritur edhe takimet e Osmanit me liderët e partive tjera për të parë rezultatin.