Në Uashington sot nis samiti i NATO-s, që zhvillohet në 75-vjetorin e themelimit të kësaj organizate.
Samiti që do të zgjasë deri më 11 korrik pritet të fokusohet në disa tema kryesore, ndër të cilat është forcimi i mbrojtjes.
E presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Uashington D.C., me ftesë të Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken, për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s, në 75 vjetorin e themelimit të kësaj organizate ushtarake.
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi për media nga Zyra e Presidencës.
“Duke vlerësuar ftesën e sekretarit Blinken, Presidentja Osmani ka theksuar se përfshirja e Kosovës në aktivitete të tilla është e një rëndësie të veçantë, meqë është hera e parë që Kosova përfshihet në ngjarje në kuadër të samitit të NATO-s”
“Përfshirja e Kosovës në aktivitetin e organizuar nga Sekretari Blinken dedikuar Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është tregues i fuqishëm i rolit në rritje që po luan Kosova në avancimin e kësaj agjende ne nivel global dhe përkushtimit të saj ndaj parimeve dhe vlerave të mbështetura nga NATO-ja”, thuhet në njoftim.