Instituti i Krimeve te Kryera gjatë Luftës në Kosovë ka njoftuar se në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë të Universitetit të Prishtinës, Bibliotekën Kombëtare dhe Muzeun Kombëtar të Kosovës, po nisin projektin e ri trevjeçar, “Kujtesa e masakrave në Kosovë: dokumentimi i kujtesës së të mbijetuarve të masakrave gjatë luftës 1998–1999.”
Instituti i Krimeve thotë se ky projekt synon të dokumentojë 10 nga masakrat më të rënda të kryera gjatë luftës, përmes realizimit të 1000 audio dhe video intervistave autentike, me të mbijetuar dhe dëshmitarë.
“Duke ndjekur qasjen e aplikuar në dokumentimin e masakrës së Krushës, ky është projekti i parë i këtij lloji në Kosovë, që në mënyrë të strukturuar dhe të thelluar dokumenton kujtesën e dhunës masive përmes rrëfimeve të drejtpërdrejta. Projekti synon të ndriçojë ndikimin afatgjatë të traumës së luftës, duke u dhënë zë të mbijetuarve dhe duke ruajtur kujtesën kolektive për brezat e ardhshëm”, thuhet tutje aty.
Sipas tyre, kjo iniciativë ndërinstitucionale përfaqëson një përkushtim të qartë etik dhe shkencor ndaj të vërtetës historike, me synimin për të promovuar drejtësinë, forcimin e kujtesës shoqërore dhe përballjen me të kaluarën, “në një kohë kur mohimi i krimeve vazhdon të jetë një sfidë serioze për rajonin”, thotë IKKL-ja.
Instituti i Antropologjisë thotë se masakrat janë përzgjedhur në bazë të disa kritereve: madhësia e numrit të viktimave, diversiteti tek viktimat, shpërndarja gjeografike, mosha e numri i të mbijetuarve të masakrës specifike.
“Masakrat e përzgjedhura për këtë projekt janë: 1. Masakra e Mejës (27 prill, 1999); 2. Masakra e Makocit (21 prill 1999); 3. Masakra e Poklekut (17 prill 1999); 4. Masakra e Qyshkut (14 maj 1999); 5. Masakra e Lubeniqit (25 maj 1998 dhe 1 prill 1999); 6. Masakra e Krushës së Vogël (25-27 mars 1999); 7. Masakra e Reçakut (15 janar 1999); 8. Masakra e Suharekës (26 mars 1999); 9. Masakra e Studimes (2-3 maj 1999); 10. Masakra e Sllovisë (15-16 prill 1999)”, thuhet në njoftimin e Institutit të Antropologjisë të UP-së.
Kanë treguar se për realizim të intervistave, do të rekrutohen hulumtues të fushës së antropologjisë dhe sociologjisë.
Atdhe Hetemi, drejtor ekzekutiv i Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë është shprehur i lumtur për nisjen e këtij projekti, që sipas tij, do të dokumentojë e ruaj të vërtetën historike.
“Fort i lumtur që po e nisim këtë projekt trevjeçar ndërinstitucional për dokumentimin e 10 prej masakrave më të rënda në Kosovë, e në kuadër të të cilit do të realizohen mbi 1000 intervista autentike me të mbijetuar dhe dëshmitarë të luftës. Bashkë, më së miri ia dalim për të dokumentuar dhe ruajtur të vërtetën tonë historike”, shkroi ai. /RTK/