Një miratim qeveritar, mori krijimi i një gjykate të re, që në fokus do të ketë kontestet administrative dhe të punës.
Përmes një koncept dokumenti, u nis krijimi i Gjykatës Administrative të specializuar, me seli në Prishtinë e me kompetencë për të gjithë territorin e Kosovës, si dhe themelimi i divizioneve të veçanta në kuadër të Gjykatave Themelore.
Këto divizione, do të trajtojnë vetëm kontestet e punës me sektorin privat si punëdhënës, ngase kontestet e punës me sektorin publik si punëdhënës do të barten në juridiksionin e Gjykatës së re Administrative të themeluar.
“Objektiva specifike është që deri në vitin 2026, të bëhet zgjidhja e të gjitha konflikteve administrative më të vjetra se dy vite, si dhe zvogëlimi për 50% i kohës në dispozicion për 50% në shkallën e parë dhe 30% në shkallën e dytë”.
E vendimet gjyqësore, sipas këtij koncept dokumenti nuk mund të kthehen në rishqyrtim apo rivendosje në administratën publike.
Në kuadër të kësaj, janë përcaktuar edhe afatet për paraqitje të dosjes në rastin e konfliktet nga pala e paditur, por edhe afatin për përgjigje në padi.
Të adresuara janë edhe kapacitetet e burimeve njerëzore, ku parashihet rritje e numrit të gjyqtarëve dhe stafit mbështetës, si dhe programe të specializuara trajnimesh.
Rrjedhimisht, planifikohet rekrutimi i 13 gjyqtarëve, 20 bashkëpunëtorëve profesional dhe 20 zyrtarëve mbështetës.
Pesë vite pas, një vlerësim i këtij riorganizimi planifikohet të kryhet për të parë efektet.
“Riorganizimi gjyqësor për konfliktet administrative dhe kontestet e punës do të jetësohet gjatë vitit 2024. Ky riorganizim, qoftë nga aspekti ligjor por edhe praktik, do të udhëhiqet nga MD dhe KGJK për të siguruar realizimin me kohë. Marrë parasysh masat tjera që duhet të vijojnë pas këtij riorganizimi, vlerësohet se duhet të kalojnë së paku 5 vite, për të vlerësuar efektin real të këtij riorganizimi”.
Në hartimin e këtij dokumenti, ka marrë pjesë edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ku nga të dhënat e këtij institucioni, rezulton se efikasiteti i gjykatave në kontestet administrative dhe ato të punës është më shumë se tre vite.