6 C
New York
Wednesday, March 26, 2025

Buy now

Nipi i dëshmorit që trashëgoi emrin e tij, Vesel Demaku shkëlqeu në debutim me Kosovën: Një ëndërr e bërë realitet

- Advertisement -
Vesel Demaku është prurja më e re te Kombëtarja e Kosovës dhe ai debutoi në Prishtinë në sfidën ndaj Islandës, duke pasur paraqitje shumë të mirë.

Mesfushori qendror i lindur dhe rritur në Austri, ka luajtur për të gjitha grupmoshat e kësaj Kombëtare nga U15 deri më U21.

Megjithatë në tetor të vitit të kaluar ai i tha ‘Po’ Kosovës dhe për ta parë në fushë me fanellën dardane u desh të pritet grumbullimi i muajit mars dhe dy ndeshjet e Play-Off të Ligës së Kombeve.

Në sfidën e parë të zhvilluar në Prishtinë ku Kosova fitoi 2-1, Demaku u fut në fushë nga banka rezervë dhe dha qetësi në mesfushë, por edhe shkatërroi shumë aksione të ‘Vikingëve’.

Ndërkohë në sfidën e kthimit, Demaku ishte titullar dhe kishte paraqitje fantastike në fushë, ku dukej sikur ka vite që luan me fanellën dardane.

Në një prononcim për Telegrafin, mesfushori i skuadrës austriake Altach thotë se është shumë i lumtur dhe nuk mund ta përshkruajë me fjalë debutimin me Kosovën.

“Vërtetë jam shumë i lumtur dhe njëkohësisht edhe shumë i emocionuar që më në fund mu bë ëndrra realitet të luaj me fanellën e Kosovës. Është një ndjenjë e papërshkueshme”, ka thënë mesfushori të hënën për Telegrafin.

Veseli është i lindur në shkurt të vitit 2000 dhe ai ka trashëguar emrin gjyshit të tij, dëshmorit të madh të Kosovës, Vesel Demaku, një ish-ushtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili u vra në fushëbetejë nga forcat serbe.

“Unë vijë nga një familje që ka luftuar dhe ka derdhur gjak për këtë vend dhe për këtë arsye kisha shumë emocione. Gjyshi im është Vesel Demaku dhe sigurisht që ai është krenar nga lartë për debutimin tim me Kosovën. Gjithsesi mua më është bërë realitet një ëndërr e madhe që ta vesh fanellën e Kosovës. Përkundër që ka kaluar një javë, po vazhdoj të mendojë se ende jam në ëndërr”, thotë Demaku për Telegrafin.

25-vjeçari tregon se shumë kohë më parë i kishte thënë ‘Po’ Kosovës, por për arsyeje të lëndimeve dhe formës jo të mirë nuk ka mundur të grumbullohet.

“Ka më shumë se tre vite që jam takuar me Bajramin (Shalën) dhe kemi biseduar. Që nga ajo kohë unë kam qenë i vendosur të luaj për Kosovën, megjithatë ka pasur probleme të tjera. Nuk luaja shumë në klube dhe lojtarët në Kombëtare duhet të jenë në formë pasi në Kombëtare të gjithë duan të luajnë, por nuk ftohen pa pasur minutash me klubet. Gjithsesi kisha edhe probleme të shumta me lëndime pastaj edhe dokumentacioni vonoi pasi Austria nuk pranon dyshtetësinë dhe gjëra të tilla. E rëndësishme është që tani jam pjesë e Kosovës dhe gjithmonë do të jap më të mirën nga vetja për këtë fanellë”, vazhdon tutje rrëfimin e tij Vesel Demaku.

Demaku ka luajtur për shumë klube të mëdha në Austri, ku fillimisht e ka nisur në Akademitë e Rapid Vienna dhe Red Bull Salzburg, para se të kalonte te ekipi i parë i Austria Viennas në vitin 2017. Që nga ajo kohë përveç klubit kryeqytetas, Demaku ka luajtur edhe për Sturm Graz, Austria Klagenfurt dhe së fundmi është pjesë e Altach në Bundesligën e Austrisë ku është një titullar i padiskutueshëm.

Pritja që i është bërë te Kosova ka qenë fantastike sipas mesfushorit defensivë.

“Vërtetë jam shumë i kënaqur me pritjen që më është bërë. Të gjithë më kanë pritur mirë, nga drejtuesit e FFK-së te stafi teknik dhe te lojtarët. Shumë njerëz të mirë ishin, ma kanë bërë shumë më të lehtë ambientimin në ekipin kombëtar”.

Dardanët morën dy fitore ndaj Islandës, derisa Demaku thotë se nuk ka qenë aspak e lehtë, pasi para ndeshjeve gjasat ishin të barabarta për dy Kombëtaret për të kaluar tutje.

“Islanda është një kundërshtarë shumë i fortë. Para ndeshjeve gjasat ishin të barabarta për të kaluar tutje, derisa ne treguam se jemi një skuadër shumë e fortë dhe treguam karakter duke fituar dy ndeshjet dhe me plotë meritë kaluam në Ligën B duke shkruar histori”, thotë Demaku.

Në ndeshjen e dytë të zhvilluar në Murcia, Demaku pësoi një lëndim, por i cili nuk është edhe shumë i rëndë.

“Lëndimi nuk është shumë i rëndë që më mbanë me muaj jashtë fushave, megjithatë do të vazhdoj me disa kontrolle për të parë se sa do të mungojë”.

Pas arritjes historike në Ligën B, Kosova tani do të luaj në kualifikueset e Kampionatit Botërorë, ku në grup ka emra të mëdhenj si Suedia, Zvicra dhe Sllovenia.

Demaku tregohet i matur, duke thënë se kanë përballë emra të mëdhenj, derisa këta do ta japin maksimumin për të arritur rezultate pozitive.

“Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe jo të themi se tani do të shkojmë në Botërorë. Sigurisht që ne futbollistët do të japim maksimumin në fushë për të arritur rezultate pozitive, por do të jetë shumë e vështirë, pasi kemi Kombëtare të forta përballë. Qëllimi është të japim më të mirën në fushë, pastaj vijnë edhe rezultatet”, tha Demaku për Telegrafin.

Ai i ka parë ndeshjet e Kosovës më përpara, por thotë se cilësia që kanë futbollistët dardanë nga afër është shumë më e madhe.

“Sigurisht që i kamë parë ndeshjet e Kosovës gjithmonë. Futbollistët a ishin më të mirë nga televizioni apo duke i parë nga afër? Nga televizioni shumë të mirë, por nga afër edhe më të mirë. Vërtetë kemi shumë futbollistë të mirë në ekipin kombëtar dhe ka shumë cilësi. Shpresojmë që të bëjmë gjëra të mëdha për Kosovën”, përfundoi Vesel Demaku.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit