9.5 C
New York
Wednesday, October 29, 2025

Buy now

Nimani: Oferta e fundit e Kurtit për Nismën ishte e pasinqertë

- Advertisement -

Artan Nimani, nga Nisma Socialdemokrate, ka vlerësuar se oferta e bërë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pak minuta para fillimit të seancës për formimin e qeverisë, ka qenë e pasinqertë.

Nimani ka thënë se Kurti kishte pretenduar të arrinte një marrëveshje me kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj, në minutat e fundit, ndërkohë që, sipas tij, nga momenti i zgjedhjes së Dimal Bashës në postin e kryetarit të Kuvendit, ai nuk ka pasur asnjë kontakt me Limajn.

“Ashtu siç e kemi diskutuar, në minutat e fundit i thuhet Limajt se ‘ta plotësova dëshirën dhe e largova Dimal Bashën nga posti i kryetarit të Kuvendit’, pra imagjinoni sesi luan me figurat e tij politike. Nga momenti kur Basha u zgjodh kryetar i Kuvendit dhe deri të dielën, as nuk ka kontaktuar me Nismën. Të dielën u takua pas fillimit të seancës, por ishte e qartë se nuk mund të diskutohej për asgjë kur nuk ishte ndërtuar asnjë marrëveshje. Nuk mundesh në minutat e fundit të thuash ‘hajde, u bë puna’ dhe tani të kërkosh të bëjmë një marrëveshje. Por prapë, edhe me votat e Nismës, nuk i kishte numrat e nevojshëm për formimin e qeverisë,” ka thënë Nimani në Tëvë1.

I pyetur nëse mund të ketë një tentativë të dytë për bashkëpunim mes Nismës Socialdemokrate dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Nimani e ka mohuar një mundësi të tillë.

“Jo, nuk mund të ketë. Unë besoj se kjo punë ka përfunduar sa i përket një bashkëpunimi mes Nismës dhe VV-së. Qëndrimi zyrtar i Nismës ka qenë dhe mbetet në fuqi për postin e kryeparlamentarit. Por, aq shumë ka ecur procesi sa mendoj që çdo kthim pas nuk ia vlen. Efekti përfundimtar është i njohur dhe nuk ndryshon,” ka theksuar Nimani./teve1.info/

Të ngjashme

Të fundit