Artan Nimani nga Forumi Intelektual E30 ka thënë se nëse kryeministri në detyrë, Albin Kurti do ta nominonte kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj për kryeparlamentar, ai do të zgjidhej me një shumicë absolute të votave.
Sipas Nimanit, Limaj do të arrinte një rezultat të tillë për shkak të raporteve që ka me shumë forca politike minoritare dhe shqiptare që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Megjithatë, Nimani në emisionin “Ditari në Tëvë1 ka përsëritur qëndrimin se Nisma Socialdemokrate është e gatshme të bashkëpunojë me Kurtin vetëm në legjislacion.
“Është e qartë dhe edhe Limaj ka deklaruar se jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Kurtin vetëm në legjislacion, pra vetëm në Parlamentin e Kosovës duke udhëhequr Limaj si një figurë më përafruese. Kurti e ka deklaruar kundërshtimin nga fakti që ende janë në proces negociator ende janë duke biseduar për të bashkuar forcat mes veti. Ndoshta nuk është shumë e mirë as për Kurtin, as për të tjerët të deklarohen ne media për shumë gjëra që janë biseduar, por megjithatë unë mendoj që kur Kurti nuk e ka numrin e mjaftueshëm. Prandaj duhet që ta gjej partnerin dhe unë besoj që do të ishte një zgjidhje ideale dhe Limaj besoj se do të merrte një shumicë absolute të votave në rast se kandidohet për kryetar parlamenti për shkak të raporteve që ka me shumë forca politike që janë minoritare dhe shqiptare që janë në Parlament”, ka thënë Nimani.
Ndryshe, të martën për të 22-tën herë me radhë, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, duke vazhduar kështu ngërçin institucional që ka mbërthyer vendin pas zgjedhjeve të fundit.
Ndërkaq, nesër nga ora 11:00 deputetët e zgjedhur do të mblidhen sërish në sallë në përpjekjen e 23-të për konstitumin e legjislaturës së nëntë.