Artan Nimani nga Nisma Socialdemokrate e Kosovës, ka thënë se nuk kanë ndryshuar qëndrim sa i përket bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai ka thënë se ata mbesin në kërkesën e tyre që Limaj të jetë kandidat për kryeparlamentar, duke thënë se nëse do të bëhej ky propozim votat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit janë të garantuara.
“Nisma ka një vendim të kryesisë që ka shpreh gatishmëri për bashkëpunim për krijimin e institucioneve, me kushtin që z.Limaj të jetë kryetar i Kuvendit të Kosovës. Nuk kemi një vendim të dytë, një negocim të dytë, s’ka diçka të re”, ka thënë Nimani në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ai ka thënë se deputetët e tyre do të abstenojnë për të propozuarit te LVV-së për kryeparlamnetar.
Nimani ka vlerësuar se problemi është te mungesa e votave për formimin e qeverisë e jo të kryetarit të Kuvendit.
“Nuk jemi për zgjidhje parciale. Askush nuk i ka numrat për krijimin e institucioneve pa arritur marrëveshje politike, prandaj është e domosdoshme që të ketë marrëveshje politike. Problemi qëndron të krijimi i Qeverisë jo të kryetari i Parlamentit. Po shihet që nuk janë numrat”, ka thënë ai.