Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Bernard Nikaj ka thënë se është lajm i mirë që Kosova ka shënuar ngritje në vitin 2021 për 17 vende nga viti paraprak 2020, ku në 2021, Kosova renditet në vendin e 87-të.
Nikaj në emisionin ‘Pressing’ në T7 tha se pas këtij lajmi të mirë, do ta shohim se a ka ndikuar kjo për prurjen e investimeve të huja e zhvillim ekonomik.
“E rëndësishme është që Kosova ka bërë progres. Ky indeks nuk e mat realisht efektivitetin e masës, ndikimin në mirëqenien qytetarëve. Ky e mat perceptimin e qytetarëve lidhur me nivelin e korrupsionit në vend.
Dmth ky indeksi është transparent. Ky është lajm i mirë, por duhet ta marrim me atë që është. Të shohim se sa kjo do të përkthehet në rezultate efektive, në thithje të investime të huaja dhe zhvillim ekonomik”, tha Nikaj.