Sekretari për marrëdhënie ndërkombëtare në PDK, Bernard Nikaj, ka folur për situatën në veri të vendit dhe kërkesat e shteteve aleate të Kosovës për de-përshkallëzim.
Në Edicionin Special të Klan Kosovës, ai ka theksuar se deklarimet e sotme të shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, janë i të gjitha shteteve të BE-së.
“Josep Borrell nuk ka folur në emrin e tij, ka folur pas takimit me ministrat e BE-së, është qëndrim që e ndajnë vendet e BE-së e që është qëndrim konsistent. Kërkesat e BE-së dhe shteteve tjera ndërkombëtare tash e një kohë kanë qenë të njëjta, kanë kërkuar de-eskalim, kthim në tryezën e dialogut, dhe implementimin e Marrëveshjes së Ohrit”,ka thënë Nikaj.
Nikaj ka thënë se Kosova nuk është duke i marrë për bazë kërkesat e perëndimit për situatën në veri.
“Nuk po duket që Qeveria e Kosovës është duke zhvilluar një dialog konstruktiv me bashkësinë ndërkombëtare për të gjetur rrugën më të mirë për të arritur tek implementimi i këtyre kërkesave. Pasi që këto kërkesa nuk janë të thjeshta, nuk janë se mund të implementohen menjëherë, kanë të bëjnë me zgjedhjet tani më të mbajtura në veri, me shpalljen e zgjedhjeve të reja, zgjidhjen e situatës aktuale në të cilën gjendemi”, ka thënë Nikaj.
Nikaj ka pohuar se një shteti nuk i duhet sovrantiteti kur është i izoluar.