Sekretari i PDK-së dhe ish-ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj ka bërë kritika të shumta që lidhen me punën e ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.
Megjithatë, mes kritikave të shumta, Nikaj ka arritur të gjej edhe një punë të mirë, që ai thotë se e ka kryer ministrja. Ai ka folur për blerjen e një vile në Londër, që do të shfrytëzohet për ambasadën e Kosovës në Londër.
“Kosova më në fund e kishte blerë një objekt të ambasadës në Londër. Ky është një lajm i mirë. Është tentuar që të blihen ambasada edhe më parë… sepse janë disa vende ku e dimë se do të jemi përgjithmonë”, ka thënë Nikaj në emisionin “Majtjas Jo Djathtas” në T7.
Ai ka thënë se Gërvallës nuk ia gjen dot një sukses tjetër.
Sipas tij, ajo gjatë shumicës së kohës në punën e saj, është e hutuar.
“Përveç kësaj është vështirë të kujtohet një sukses i zonjës Gërvalla. Shumicën e kohës duket se është e hutuar se cila është detyra e saj dhe cilat janë zhvillimet nëpër të cilat ka kaluar Kosova. Javë më parë, zonja Gërvalla thoshte që Kosova s’ka arritur marrëveshje me Serbinë, ndërkohë z. Kurti thoshte se ka marrëveshje me Serbinë”, ka thënë ai.
Sipas Nikajt, nuk mund të ketë një diplomate më të dobët se Gëvalla.
“Zonja Gërvalla i ka thyer pritjet tona. Kurrë mos thuaj se ka më keq”, ka deklaruar ai gjatë emisionit.
Ndryshe, sot u raportua se Kosova ka blerë një vilë luksoze në mes të Londrës në vlerë 6.5 milionë funte (7.4 milionë euro), për ta zhvendosur ambasadën e saj në të.
Siç bën të ditur e përditshmja britanike The Telegraph, vila që ka rreth 530 m2 hapësirë, deri tani i përkiste komedianit të njohur, Spike Milligan.