19.7 C
New York
Saturday, August 2, 2025

Buy now

Nik Gjeloshaj përplaset keq në telefon me Presidentin Jakov Milatoviq pasi ky ia ktheu një ligj Kuvendit – rasti në polici

- Advertisement -

Kabineti i Presidentit të Malit të Zi ka njoftuar se zëvendëskryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, i ka drejtuar një sërë kërcënimesh dhe mesazhesh të papërshtatshme Presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviq, pasi ky i fundit kishte kthyer Ligjin për tatimin mbi pasuritë e paluajtshme në Kuvend për shqyrtim të përsëritur.

Siç thuhet në njoftim, duke marrë parasysh seriozitetin e mesazheve dhe përpjekjen e drejtpërdrejtë për presion politik ndaj presidentit të shtetit, Kabineti i Presidentit të Malit të Zi e ka njoftuar për këtë drejtorin e Policisë.

“Presim që institucionet përkatëse të reagojnë menjëherë, në përputhje me detyrimet e tyre sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Malit të Zi. Kërkojmë nga kryeministri që pa vonesë ta shkarkojë zëvendëskryeministrin. Çdo minutë heshtjeje në këtë moment është një mesazh se kërcënimet janë të lejuara,” thuhet në deklaratën e Kabinetit të Presidentit.

Pas kërcënimeve të drejtuara Milatoviqit, Kabineti thotë se shumë shpejt kanë marrë informacione që zbulojnë arsyen pas këtij reagimi të papranueshëm të Nik Gjeloshajt.

“Bëhet fjalë për mosmarrëveshjet shumëvjeçare gjyqësore që Komuna e Tuzit ka me kompaninë ’13 Korriku – Plantaže’, që kanë të bëjnë me përllogaritjen e paligjshme të tatimit mbi pasurinë e paluajtshme për tokë bujqësore. Këto tatime vjetore janë përllogaritur në mënyrë të jashtëligjshme dhe janë mbledhur me dhunë përmes bllokadës së llogarive të kompanisë nga Komuna e Tuzit, duke detyruar kompaninë të kërkojë drejtësinë dhe kthimin e mjeteve në gjykatë. Deri tani, të gjitha vendimet e Gjykatës Administrative mbi ankesat e ‘Plantaže’-s kanë qenë në favor të saj.”

Në këtë proces, rol kyç ka pasur pikërisht zëvendëskryeministri aktual, atëherë kryetar i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, ndaj të cilit kompania ‘Plantaže’ ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale.

“Me propozimin e ligjit të ri, përveç se hiqen lehtësirat tatimore të barabarta për të gjithë prodhuesit bujqësorë – përfshirë edhe ‘Plantaže’ – pjesa më e diskutueshme është veprimi ‘retroaktiv’ i ligjit, i cili do të shërbente për të mbyllur kontestet me kompaninë në mënyrë që të legalizohej përllogaritja e paligjshme e tatimit nga ana e Gjeloshajt. Si pasojë, kompania do të mbetej e dëmtuar përfundimisht financiarisht për një shumë prej miliona eurosh dhe do të goditej rëndë në aspektin e likuiditetit,”** thuhet në deklaratë.

Kabineti i Milatoviqit është tashmë i informuar se këto nuk janë kërcënimet e para që z. Gjeloshaj i ka drejtuar ndonjë zyrtari shtetëror të Malit të Zi në lidhje me këtë ligj të diskutueshëm.

“Prandaj, kërcënimet e zëvendëskryeministrit nuk janë çështje politike, por çështje e lirisë, sigurisë dhe dinjitetit të bartësve të institucioneve më të larta dhe të vetë funksionit të Presidentit të Malit të Zi. Nëse Qeveria vazhdon të injorojë veprimet e zëvendësit të saj, lind pyetja nëse institucionet janë të lira të marrin vendime në mënyrë të pavarur, pa shantazhe, kërcënime dhe pa ndikimin e interesave private. Sepse nëse sot i bëhen kërcënime Presidentit sepse ai e kthen një ligj për rishqyrtim, atëherë nesër mund t’i bëhen çdokujt që mendon ndryshe,” thuhet në reagimin zyrtar.

Kabineti i Presidentit përfundon duke thënë se Milatoviqi nuk do të frikësohet nga asnjë kërcënim, por do të vazhdojë të punojë si deri më tani – i vendosur në mbrojtje të rendit kushtetues dhe parimeve demokratike mbi të cilat duhet të mbështetet Mali i Zi: një shtet ligjor për të gjithë.

Ndaj këtyre pohimeve të Milatoviq, ka reaguar Gjeloshaj duke thënë se është një gënjeshtër e rëndë pretendimi i Presidentit të shtetit, Jakov Milatoviq, se ai i ka bërë kërcënime. Ai thekson se kjo është përpjekje e Milatoviqit për të devijuar vëmendjen, sepse Ligji për tatimin mbi pasuritë e paluajtshme është kthyer për shkak të lidhjeve farefisnore me Nebojsha Vuksanoviqin, si dhe për të përfituar për vete dhe për të.

“Me indinjatë e mohoj publikimin e pavërtetë të presidentit rastësor Jakov Milatoviq dhe me përgjegjësi të plotë i njoftoj qytetarët se është një gënjeshtër e madhe që unë kam kërcënuar. Mesazhet e shkëmbyera që mbeten si gjurmë komunikimi e vërtetojnë më së miri këtë,” tha Gjeloshaj.

Ai dyshon me bazë, siç shton, se Presidenti ka përhapur qëllimisht këto të pavërteta për të larguar vëmendjen nga ajo që ai (Gjeloshaj) kishte ndërmend të publikonte.

“E ajo është se Milatoviq ka refuzuar të nënshkruajë ligjin për shkak të lidhjeve familjare me Nebojsha Vuksanoviqin, në mënyrë që të përfitojë personalisht për vete dhe për të. E gjithë komunikata jonë është e ruajtur dhe i them se, nëse nuk kërkon falje, do ta publikoj publikisht që e gjithë Mali i Zi ta shohë se me çfarë lloj presidenti kemi të bëjmë,” përfundon Gjeloshaj.

Më poshtë mund të lexoni perkthimin e bisedave mes Gjeloshit dhe Milatoviq:


Nik Gjeloshaj:

Keni bërë një gabim të madh, duke e përdorur pozitën e Presidentit për interesat e kumbarit tuaj.
Mendoj se nuk është dashur të futeni në këtë çështje, ndërsa pritni reagimin e shqiptarëve si asnjëherë më parë – nga të gjitha nivelet dhe kudo që kemi ndikim.

Jakov Milatoviq:

Nik – fol kështu me ata me të cilët je mësuar.
Me mua jo.
Të fala.

Nik Gjeloshaj:

Turp.
Edhe më keq me të tillë si ju.
Me nivelin tuaj të vendimeve për interesa të kumbarëve – kjo është turpëruese.

Jakov Milatoviq:

S’kam fare ide për çfarë po flet.

Nik Gjeloshaj:

Por do ta marrësh përgjigjen që e meriton.

Jakov Milatoviq:

Çfarë kumbari?
Lexo argumentimin ligjor.

Nik Gjeloshaj:

Lëri këto gjëra për ata me të cilët je mësuar.

Jakov Milatoviq:

Mos më shkruaj më në këtë mënyrë.

 

Të ngjashme

Të fundit