Përmes një publikimi të gjatë në median sociale X, Rama fillimisht e nis me replika ndaj zërave kritikë, duke thënë se “është mësuar të dëgjojë çudira pas çdo ideje, apo projekti, që ai paraqet në publik”.
Por, sipas tij, këtë herë “janë kaluar kufijtë e fantazive dhe ligjësive të pritshme”.
“E vetmja gjë që nuk kam dëgjuar të thuhet nga kundërshtarët e zjarrtë të kësaj ideje është qoftë edhe një fjali me kuptim, mbi historinë dhe rolin e bektashinjve në fatet e kombit e të shtetit tonë, se mirë për sfidat e mbijetesës së Urdhrit Bektashi sot e gjithë ditën duket që as nuk do t’ia dijë askush nga ata që çfarë s’po nxjerrin prej goje!”, përmend Rama në komentin e tij mbi çështjen.
Për të, padija dhe shkujdesja në trajtimin e një çështjeje me vlera të tilla, është përforcuese e bindjes personale se kjo ide ka ardhur koha të vihet në jetë.
Mandej, duke e quajtur edhe një hap jo vetëm në harmoni të plotë me interesin kombëtar, por edhe në shërbim të “domosdoshmërisë së investimit tonë të vazhdueshëm për ruajtjen e për pasurimin e thesarit të paçmueshëm të tolerancës e të harmonisë fetare”.
Megjithatë, e pranon se nga ideja, e deri te jetësimi, ka një kohë të tërë për t’u kthjelluar, pasi procesi publik e legjislativ nuk kanë ngut.
Në reagim, Rama përmend edhe një ftesë për kundërshtarët e idesë së tij:
“Në ndërkohë ftesa ime për kundërshtarët e kaqshumëngutur të idesë është që të njihen me faktet dhe kontributet historike të Urdhrit Bektashi në punët e kombit e të fesë në Shqipëri, duke shpresuar se mbase kjo njohje do t’i ndihmojë për të parë të paktën diçka sa të thjeshtë aq edhe kuptimplotë”.
Teksa, liston më poshtë, arsye pse e mendon këtë çështje në mënyrë të tillë, transmeton albanianpost.
-Ndryshe nga komunitetet e tjera, të cilat kanë avantazhin e natyrshëm të përkatësisë në komunitete shumë të mëdha me shtrirje globale – pra kanë edhe mundësi të mëdha mbështetjeje të pandërprerë në rrugën e tyre – komuniteti bektashi është si të thuash “jetim” në këtë këndvështrim.
-Prandaj afërmendsh që ngritja e statusit të Kryegjyshatës Botërore në Shqipëri në nivelin e një entiteti sovran, jo vetëm do të ulte ndjeshëm kërcënimin real të tkurrjes së atij komuniteti deri në tretje në harkun e disa dekadave, po do të garantonte një vazhdimësi të qëndrueshme të ekzistencës së tij për breza të tërë.
Drejt mbylljes, kryeministri thekson se të adresosh sot këtë çështje do të thotë të mbrosh një vlerë të jashtëzakonshme të trashëgimisë historike dhe kulturore të kombit shqiptar.
Këtu, pa llogaritur të mira të tjera, që sipas tij ky projekt do t’i sjellë Shqipërisë dhe shqiptarisë, duke krijuar një entitet të tillë sovran, në botën e sotme.
“Po për t’i folur urtësisht e qetësisht këto e kemi të gjithë kohën e nevojshme përpara”, e përmbyll kryeministri, duke e shoqëruar gjithë reagimin, me një foto të rilindasit Naim Frashëri dhe të Teqesë në majën e Malit të Tomorrit, vend pelegrinazhi për komunitetin bektashi.