Taalas ka thënë të martën se “trendi negativ” i valëve të të nxehtit pritet të vazhdojë për dekada, “të paktën deri më 2060 – pavarësisht përpjekjeve për të zbutur ndikimin tonë në çështje të klimës”.
Ai ka thënë se bota e ka përshpejtuar procesin në atmosferë, duke injektuar shumë gazra serrë.
Sipas zyrtarëve të Kombeve të Bashkuara, të njëjtat kategori njerëzish që janë më të cenueshme ndaj koronavirusit, rrezikohen edhe nga moti i nxehtë: të moshuarit, të sëmurët dhe njerëzit me probleme të frymëmarrjes.
Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar të martën temperaturën më të lartë në histori – 40.2 gradë Celsius në aeroportin Heathrow të Londrës.
Belgjika, Holanda dhe Gjermania janë duke u përballur po ashtu me temperatura të larta, derisa zjarret pyjore vazhdojnë të kërcënojnë disa pjesë të Francës dhe Spanjës.
I nxehti ekstrem, i nxitur nga ndryshimet klimatike, është duke u ashpërsuar dhe duke i bërë më të shpeshta valët e të nxehtit, kanë paralajmëruar shkencëtaret.
Sipas Organizatës Botërore për Mot, vala e të nxehtit në Evropë do të ketë pikun ditën e martë, mirëpo temperaturat mbi normalen do të vazhdojnë edhe në mesin e javës tjetër. /REL