Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haxhi Shala po akuzohet nga Prokuroria Speciale se ka kryer veprën penale “falsifikim i rezultateve të votimit”.
Prokuroria po e akuzon Shalën se në mënyrë të kundërligjshme iu janë shtuar tri vota në zgjedhjet e 2021-ës.
Së bashku me ish-deputetin e AAK-së janë akuzuar edhe 6 persona tjerë.
“Në mesin e të akuzuarve janë: H. Sh. Ish deputet i Kuvendit të Kosovës gjatë legjislaturës së vitit 2019 nga radhët e subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të pandehurve S. M., A.K., I. H., G. H., dhe D. G. që të gjithë zyrtarë të Qendrës për Numërimin e Rezultateve të KQZ-së dhe të pandehurit P.P”, thuhet në njoftim.
Sipas prokurorisë, hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit, kundërligjshëm ia kanë shtuar 65 vota kandidates për deputete M. H. S. nga radhët e AAK-së, kurse kandidatit H. Sh. ia kanë shtuar 3 vota.
“Hetimet arritën të dëshmojnë përfshirjen e kandidatit H. Sh në kryerjen e veprës penale, mirëpo nuk arritën të sigurojnë prova të mjaftueshme për të vërtetuar dyshimin e bazuar se M. H. S. ishte e përfshirë në kryerjen e veprës penale”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.