Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë kundër katër të pandehurve L.B., L.M. F.M. dhe Sh.Gj, për grabitje dhe po ashtu të pandehurit L.M. për shkak të mbajtjes së armëve pa leje.
“Sipas aktakuzës, të pandehurit me datën 21.05.2025, rreth orës 23:35 min në Pejë, duke vepruar si anëtar të grupit, me armë dhe me përdorimin e forcës dhe kanosjes serioze, grabisin pompën e derivateve DHF në Pejë, ashtu që të njëjtit fillimisht sigurojnë një armë të gjatë, pastaj me veturën e njërit prej të pandehurve, shkojnë në vendin e ngjarjes, i vendosin maskat në kokë, dalin nga vetura me armë, futen brenda në marketin e pompës dhe nën kërcënimin e armës dhe kanosjes serioze, punëtorit të kësaj kompanie i marrin shumën prej 905€, pastaj kthehen në veturë dhe largohen nga vendi i ngjarjes, ndërsa parat i ndajnë përgjysmë”, tha prokuroria.
Prokurori i rastit në aktakuzë, përpos që ka kërkuar dënimin e të pandehurve, ka propozuar edhe konfiskimin e veturës Golf II, konfiskimin e parave të gjetura tek të pandehurit në shumën prej 575€, konfiskimin e armës dhe lëshimin e urdhrit për kompensimin e humbjes apo dëmit, të shkaktuar të dëmtuarit si rezultat i veprës penale.