Një rast i rëndë ka ndodhur në shtetin fqinj të Kosovës, në Maqedoninë e Veriut, ku policia maqedonase ka qëlluar për vdekje një emigrante 23-vjeçare, në kufirin me Greqinë, gjatë një përleshje me emigrantët ilegalë. E reja afrikane 23-vjeçare, që u vra brutalisht, ishte shtatzënë. Në lidhje me këtë ngjarje, nuk kishte aq shumë reagime nga politikanët e zyrtarët institucionalë, sikurse nuk kishte edhe ndonjë rrëfim më të plotë se si ndodhi ngjarja.
Organizata “Second Tree” e cila punon në kampet e refugjatëve në pjesën veriore të Greqisë në në Facebook shkruan se Fatmatja u vra pasi kaloi kufirin grek, vendi që ia refuzoi asaj azilin.
“Second Tree”, tregon se Fatmatja ishte me bashkëshortin e saj dhe se në prezencën e saj ajo ishte vrarë. Gjithashtu, se me pas ai ishte arrestuar nga policia vendase.
“Fatma ka vdekur. Ajo është qëlluar nga policia, në Maqedoninë e Veriut, të mërkurën. Sapo kishte kaluar kufirin nga Greqia, vendi që ia mohoi azilin, duke e bërë atë të padukshme, si një njëri që nuk ekzistonte. Por ajo ekzistonte. Ajo ishte e ngrohtë, entuziaste dhe e hareshme. Nëse nuk do ta dinit, as që do mund ta imagjinonit se ajo jetonte në një kamp refugjatësh. Ajo ishte 23 vjeçe. Ajo ishte plot jetë”, shkruan Organizata “Second Tree” në Facebook.
Deri sa udhëheqësit e shtetit, partitë politike dhe politikanët e kanë injoruar rastin tragjik, një numër i madh aktivistësh dhe gazetarësh kanë kërkuar drejtësi për emigranten 23-vjeçare.
“Heshtja shurdhuese”
Aktivisti i Aleancës për Shqiptarët, Arben Fetai, ka kërkuar drejtësi për 23-vjeçaren.
Me anë të një postimi në Facebook, Fetai ka dënuar heshtjen e politkanëve dhe shoqërisë civile për rastin e vrasjës së emigrantës nga shteti.
“Gati një javë ka kaluar, dhe asnjë zë nga politika dhe thuasje asnjë nga shoqëria civile nuk ka folur qoftë edhe një fjalë për Fatmatan.
Është e pafalshme që një popull që ende dergjet rrugëve të Evropës dhe ende kalon kufijë në mauna të kamionave rrin kaq indiferent karshi marrjes së një jete nga shteti. Të gjithë duhet të kërkojmë drejtësi për Fatmatan”, ka shkruar Fetai.
Edhe analisti, Arsim Zekolli, ka reaguar për vrasjën e Fatmatas 30-vjeçare, duke dënuar heshtjen ndaj rastit, si nga politika, shoqëria civile dhe bashkësitë fetare, shkruan Nacionale.
“U vra Fatmata shtatzane, nga policia. E policia ne kete vend, asnjehere nuk gabon. Verzionet e policise gjithnje jan kredibile – perveq kur nuk prek ne grupin e caktuar. Por nese je afrikane, e zeze, e varfur, ne hall, ne ikje – nuk perceptohesh”, ka shkruar Zekolli.
“Asnje reagim nga partite politike plot vlera europiane. Asnje reagim nga organizatat joqeveritare plot lekcione. Asnje reagim nga llafazanet feministe goje-plota me fiqa, pjeshka. Asnje reagim nga bashkesite fetare goje-plote me kujdes per te palindurit. Nuk ka pare? Nuk ka reagime”, vazhdon ai me tutje.
Gazetarja, Arbnora Memeti, ka kërkuar drejtësi për 23- vjeçaren të vararë nga policia.
“Fatma u qëllua në sy të burri të saj, nga policia në Maqedoninë e Veriut, sapo ka kaluar kufirin”, shkruan Memeti.
E, gazetari nga Shkupi, Zenel Miftari, ka thënë se shteti maqedonas po i trajton emigrantët në mënyrë mizore.
“Vrasja e një emigranti nga një polic është shqetësuese dhe tregon nivelin e ulët të përgatitjes profesionale të policëve në vendin tonë. Gjithashtu dhe trajtimi i emigrantëve nga ana e autoriteteve shtetërore sidomos në vendkalimin kufitar Gjevjgeli është mizori. Në vende të tjera kafshët trajtohen më mire”, ka shkruar Mifari.
Tutje, ai tha se një vend që synon të antarësohet në BE, duhet t’i respektojë më tepër drejtat dhe liritë e njeriut.
“Një vend që aspiron Bashkimin Evropian, duhet të përkujdeset për të drejtat e njeriut. Trajnimi i policëve dhe “(ri)edukimi” i tyre është i domosdoshëm”, ka shkruar ai.