Gjykata Themelore në Prizren më 18 tetor 2025 ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh Bashkim Gashit, i dyshuar se me thikë 13 centimetra ka sulmuar gruan e tij dhe vajzën e saj 12-vjeçare në Prizren, duke iu shkaktuar lëndime të rënda.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar vendimin e Gjykatës, në të cilin është përshkruar se si ka ndodhur rasti deri te i cili dyshohet se erdhi për shkaqe xhelozie.
Sipas vendimit, më 17 tetor 2025 pas mesnatës, në banesën familjare në Prizren, i pandehuri Gashi pas një mosmarrëveshje paraprake me bashkëshorten, me dashje tenton të privojë nga jeta atë dhe vajzën 12-vjeçare.
“…pas një fjalosje të shkurtër për shkak të problemeve familjare xhelozie, i pandehuri Bashkim Gashi nxjerrë një thikë, me ngjyrë të zezë, me një gjatësi tehu prej 13 cm dhe godet të dëmtuarën SS disa herë me thikë në dy parakrahët, në gjoks dhe në bel, ndërsa të miturën NN po ashtu e godet me thikë në pjesën e gjoksit në anën e majtë të belit, lëndime këto të shkaktuara me rrezikshmëri për jetën e tyre”, thuhet në vendim.
Po ashtu, në vendim thuhet se Gashi me datë, kohë dhe vend të njëjtë, posedoi thikën 13 cm, me të cilën tentoi t’i privojë nga jeta të dëmtuarat.
Gjykata ka ardhë në përfundim se nga veprimet e përshkruara si në kërkesën e Prokurorisë dhe provat në shkresat e lëndës, ka bazë të mjaftueshme për caktimin e masës së paraburgimit dhe kjo masë iu caktua Gashit deri më 16 nëntor 2025.
Sipas Gjykatës, fakti se ende nuk janë dëgjuar të dëmtuarat, dëshmitarët okularë dhe nuk është bërë ende grumbullimi i provave materiale, është po ashtu arsye shtesë që Gashit t’i caktohet paraburgimi.
Edhe fakti se vepra është kryer në ambient familjar dhe të dëmtuara janë viktima të ndjeshme dhe se janë në gjendje të rëndë shëndetësore, si dhe mënyra e kryerjes së veprës, Gjykata vlerëson se përbëjnë rrethanë rënduese që nënvizon rrezikun e lartë shoqëror të të pandehurit. Aty thuhet se ekziston rreziku i përsëritjes së veprës apo kryerjes së ndonjë vepre tjetër penale me epilog edhe më të rëndë.
Prokurori: Gashi është recidivist i dhunës në familje
Fillimisht, sipas vendimit, prokurori Mehdi Sefa në seancë dëgjimore ka deklaruar se ndaj Bashkim Gashit duhet caktuar masa e paraburgimit pasi që rasti është në fazë fillestare dhe se me lënien e të dyshuarit në liri, mund të pengohet rrjedha e procedurës penale dhe se mund të asgjësohen provat, duke shtuar edhe rrezikun e ikjes.
Po ashtu, prokurori ka sqaruar se meqenëse Gashi dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, e që janë vepra penale të peshës së rëndë, është edhe një arsye më shumë që t’i caktohet paraburgimi nga Gjykata. Tha se Gashi është recidivist i dhunës në familje.
Prokurori Sefa, sipas vendimit, ka potencuar gjendjen e rëndë të viktimave të rastit, e posaçërisht të fëmijës 12-vjeçe.
Avokati i të dyshuarit: Rasti i dhunës në familje i ka paraprirë këtij rasti
Në anën tjetër, mbrojtësi i Gashit, avokati Arben Ramadani thuhet se deklaroi që është lutur për shëndetin e bashkëshortes së Gashit dhe fëmijës 12-vjeç, duke shtuar se gjendja e dy të dëmtuarve, nuk po shkon në rrezik për jetë. Këtë dhembje, avokati ka thënë se e ndan me tani të pandehurin.
Avokati Ramadani nuk ka kundërshtuar se ka veprime inkriminuese të të pandehurit, mirëpo ka kundërshtuar kualifikimin ligjor të veprave penale. Ka thënë se rreziku i arratisjes nuk qëndron, me arsyetimin se vetë Gashi pas rastit në vendin e ngjarjes iu është dorëzuar organeve të rendit dhe premton se nuk do të arratiset. Sipas tij, i pandehuri do të respektonte edhe masat tjera alternative.
Sa i përket pretendimeve për pengim të rrjedhës së procedurës penale apo asgjësim të provave, avokati Ramadani ka thënë se tashmë Gashi po i pranon veprimet dhe se nuk ka qëllim që procesi të pengohet apo të asgjësohen provat.
Gjithnjë sipas vendimit, avokati Ramadani lidhur me konstatimet se Gashi është recidivist, ka thënë se ato nuk qëndrojnë pasi që sipas tij Gashi ka qëndruar 15 vite në Francë dhe asnjëherë nuk ka pasur vepër penale. Ndërsa, tha se rasti i dhunës në familje i ka paraprirë pikërisht vetë këtij rasti, por se ishte gjetur i sulmuar dhe i provokuar. Sipas avokatit, i pandehuri ka kryer veprën pa dashje dhe pa paramendim. Andaj, në fund avokati ka kërkuar që të shqyrtohet mundësia e caktimit të masës së arrestit shtëpiak.
I dyshuari Gashi lutet që gjendja e gruas dhe vajzës të përmirësohet
Vetë i dyshuari Gashi ka përkrahur pohimet e avokatit Ramadani, duke shprehur dhimbje për bashkëshorten dhe vajzën.
“… pajtohet me pohimet e mbrojtësit të tij dhe ka shtuar se shpreh dhimbje të thellë për bashkëshorten dhe vajzën e tij dhe lutet që të kenë shëndet dhe gjendja e tyre të përmirësohet” citohet të ketë deklaruar Gashi.
Më pas, gjyqtarja e procedurës paraprake Sadije Selmani pas analizimit të kërkesës së Prokurorisë dhe provave të bashkëngjitura në kërkesëm si dhe deklarimeve të palëve në seancë dëgjimore, ka gjetur se kërkesa është e bazuar.