22.8 C
New York
Friday, July 4, 2025

Buy now

Ngërçi politik në Kuvend: Pas PDK-së, edhe LDK i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

- Advertisement -
Ngërçi politik në Kuvendin e Kosovës po thellohet, teksa partitë opozitare po kërkojnë interpretime ligjore për zhvillimet e fundit institucionale. Pas Partisë Demokratike të Kosovës, tashmë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës  ka paralajmëruar se do t’i drejtohet nesër Gjykatës Kushtetuese. Kjo lëvizje vjen në vazhdën e mosmarrëveshjeve për mënyrën e funksionimit të Kuvendit dhe vendimmarrjeve të fundit të shumicës parlamentare.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se grupi parlamentar i kësaj partie nesër do t’i drejtohet me pyetje Gjykatës Kushtetuese.

Haziri tha në Klan Kosova se pyetja e LDK-së për Kushtetuesen do të jetë se a ka të drejtë kryesuesi i kuvendit, deputeti më i vjetër, Avni Dehari, që të vazhdojë t’i ftojë deputetët që ta zgjedhin komisionin për votimin e fshehtë.

“Ne prapë kemi me dërgu nesër, grupi i deputetëve të LDK-së e ka përgatitur draftin në Gjykatë Kushtetuese ku do të kërkojë shpjegim dhe vlerësim të Kushtetueses në lidhje me çështjen, sepse ne po ftohemi që të votojmë për një komision ad-hoc i cili në procedurë e sipër, kryesuesi fton pa të drejtë”.

“Ne do t’i drejtohemi në këtë frymë të vendimit që e ka sjellur, se a ka të drejtë kryesuesi të vazhdojë që t’i ftojë deputetët që të zgjedhin komision ad-hoc për votim të fshehtë. Është eksplicit në kërkesë”, tha Haziri.

Tutje, Haziri tha se nëse krijohet një situatë e çrregullt politike, ku Kosovës i mungon presidenti dhe kreytari i kuvendit, atëherë kryetari i Gjykatës Kushtetuese udhëheqë me Kosovën.

“Të krijohet një situatë e çrregullt në Kosovë, ku mungon presidenti, mungon kryetari i kuvendit, atëherë kryetari i Gjykatës Kushtetuese udhëheqë me Kosovën. Ai është autoritet që zëvendëson në vakume të mëdha institucionale, ai është në ranglistë ta marrë autoritetin dhe ta udhëheqë shtetin”, thai ai.

Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën zyrtare për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 29 qershor dhe vazhdimeve të saj më 1 dhe 3 korrik 2025.

Kjo kërkesë, e paraqitur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, konteston:

  1. Kërkesën për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë;
  2. Hedhjen në votim të këtij Komisioni;
  3. Vetë votimin e Komisionit;
  4. Ndërprerjen arbitrare të seancës pas mosmiratimit të Komisionit.

“Të gjitha këto veprime janë ndërmarrë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka krijuar një gjendje të re juridike dhe ka përcaktuar qartë rrjedhën kushtetuese që duhet ndjekur për konstituimin e Kuvendit”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Në kërkesën e dorëzuar, PDK ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që:

  • Të shpallë antikushtetues vendimin për votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë;
  • Të shpallë antikushtetues vendimin për ndërprerjen e seancës konstituive;
  • Të urdhërojë Kuvendin që ta vazhdojë seancën konstituive deri në përfundimin e saj me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, përmes votimit të hapur dhe transparent, ashtu siç e kërkon Kushtetuta dhe praktika parlamentare.

Në anën tjetër, edhe nga Lëvizja Vetëvendosje kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve opozitarë në votime.

Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari tha se interpretimi aktual i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese ka komplikuar më shumë situatën në vend që ta sqarojë, ndërsa theksoi se votimi në seancë është obligim.

“Nuk e kemi leximin e njëjtë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetues, është e qartë që jo që ka sqaruar, por ka komplikuar rrethanat një interpretim i tillë, ndërsa synimi i tretë është e mëse e domosdoshme edhe një adresim i gjykatës në situatën aktuale tashmë në mospjesëmarrjen në votim nga partitë opozitare. Votimi në seancë është obligim. Ne po e përgatisim që t’i drejtohemi gjykatës për mosvotimin e deputetëve opozitare për mos pjesëmarrje në votim”, tha ajo të martën.

Partitë parlamentare nuk po arrijnë të pajtohen për ta konstituuar Kuvendin as pas aktgjykimit të Kushtetueses që obligon që kjo të bëhet brenda 30 ditësh.

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të enjten e kaluar që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.

Partitë politike kanë dalë me interpretime të ndryshme rreth këtij vendimi.

Rezultat nuk prodhoi as një takim që kreu i VV-së, Albin Kurti pati të shtunën me krerët e partive të tjera parlamentare.

Në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje, u angazhua sërish presidentja Osmani. Osmani i priti të mërkurën Kurtin, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj – në përpjekje për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje për të dalë nga kriza institucionale.

Në takim, Osmani u bëri thirrje liderëve që “sa më shpejt”, apo brenda afatit 30- ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrijnë pajtueshmëri për konstituimin e Kuvendit, tha Presidenca në një komunikatë pas takimit.

Të ngjashme

Të fundit