Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa thotë se situata me mos/konstituimn e Kuvendit flet për mungesë të përgjegjësisë politike të partisë, e cila doli e para në zgjedhjet nacionale, por jo fituese e zgjedhjeve.
Duke folur për seancat e dështuara, Mustafa thotë se u pa qartë se VV nuk i ka votat për ta zgjedhë kryeparlamentarin, dhe rrjedhimisht as për formimin e qeverisë.
Ish-kryeministri thotë se kërkesa që Kushtetuesja ta zgjidhë këtë problem, nuk është e drejtë dhe, sipas tij, është më shumë e dëmshme sesa e dobishme në pikëpamje të demokracisë parlamentare.
“Sidomos në një situatë kur partia në pushtet s’po përfillë elementet bazike të Kushtetutës. Në një situatë normale, më shumë ka vend për ndërhyrje të gjykatave tjera për të sjellë para përgjegjësisë ata që po e shkelin rendin Kushtetues sesa vet Gjykata Kushtetuese. Uzurpimi i pushtetit është në kundërshtim me Ligjin. Uzurpimi i pozitës së kryesuesit të Kuvendit duke devijuar rendin e ditës me manipulim të kërkimit të votave për votim të fshehtë e jo për kandidatin e propozuar për kryetar/e ngjan në paradoks kushtetues, ligjor, e të praktikës tonë parlamentare. Ata që abuzojnë me rolin e tyre, do duhej të kenë punë me ligjin, jo me Gjykatën Kushtetuese. Kushtetuta është e qartë, nuk duhet të zbatohet e jo të rishkruhet, ashtu siç ka ndodhur. Kushtetuta njeh shumicën, si rregull të demokracisë”, ka thënë Mustafa për IndeksOnline.
Më tutje, ai thotë se nëse partia, e cila ka dalë e para mund të krijojë shumicën për të konstituuar Kuvendin dhe për ta bërë qeverinë, ecet përpara nëse jo lëshon hapësire që ata që nuk i bashkohen.
“Edhe opozita e djeshme s’mund të sillet me logjikën – s’të dua ty në pushtet por s’e dua as vetëveten. Me refrenin – S’bëjmë gabime si ata para nesh. Çdo hap në politikë sfidohet me gabime dhe me suksese, para së gjithash me marrje të riskut”, ka përfunduar Mustafa.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme, duke ndaluar çdo vendim të deputetëve deri më 8 gusht kur pritet të dal me aktgjykim lidhur më kërkesat e PDK-së dhe LDK-së.