E kjo situatë sipas disa ekspertëve po shihet si fazë që domosdoshmërish çon në zgjedhje të parakohshme. Madje, zgjedhjet i shohin si zgjidhje të vetme për të dal nga kjo krizë që e ka kapluar Kosovën që gjysmë viti.
As emri i Hekuran Muratit nuk i bindi deputetët e partive opozitare që të japin votë për kryetarin e ri të Kuvendit të Kosovës.
Duke parë këtë situatë dhe seancat çdo 48 orë, njohës të çështjeve politike në vend thonë se zgjidhja e vetme për të dalë nga kjo krizë institucionale është shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Kemi të bëjmë me kalkulime politike por unë mendoj që Brenda një periudhe jo shumë të gjatë ndoshta 10-ditore parlamenti do të konstituohet dhe minimumi që mund të presim është që së paku me një marrëveshje politike të shpallen së paku nëse asnjëra palë nuk e ka shumicën, që duket se nuk e kanë, së paku të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme”, tha Melazim Koci, politolog .
“Mund t’i drejtohen edhe njëherë presidentes ose presidentja në këtë fazë mund t’i ftoj prapë në mënyrë që të zhbllokohet situata dhe të shkojmë tutje, sa i përket kësaj që secili bllok që tashmë po e dimë, së në bazë të votave po shihet që njëri i ka 57 e tjetri 56 vota, që është aty-aty, mendoj që situata më e mirë do të ishte votimi për një kryetar të kuvendit cilido qoftë ai, pastaj shkuarja në zgjedhje të reja”, tha Fatime Hajdari, analiste.
Ndërkohë, konstituim të Kuvendit ka kërkuar edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi, sipas të cilit ky është një obligim kushtetues I deputetëve për kthimin e stabilitetit në vend.
IKD nënvizon se përkundër faktit se përgjegjësia për konstituimin e Kuvendit është e të gjitha partive politike, barra kryesore bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje, si partia e renditur e para pas zgjedhjeve. Tashmë ky subjekt ka dy mundësi reale: ose të propozojë një kandidat për Kryetar/e Kuvendi që sipas deklarimeve të partive të tjera politike ka mbështetjen e tyre, ose të arrijë marrëveshje politike me një subjekt tjetër parlamentar. Çdo qasje tjetër çon vetëm në vonesa të panevojshme dhe bllokim institucional.
Sipas IKD-së, partnerët ndërkombëtare kanë bërë të ditur se pa një Kuvend funksional, Kosova rrezikon humbjen e mbështetjes financiare dhe politike në një periudhë vendimtare për të ardhmen e saj evropiane.