-3.1 C
New York
Thursday, January 1, 2026

Buy now

Nga trojet e Kosovës në zemër të Ajovas: Rrëfimi i Drini Gashit, ushtarit me ëndërr

- Advertisement -

Një betim në bazën 132d Air Wing në Ajova shënoi një moment historik për partneritetin mes Kosovës dhe Shtetit të Ajovas.

Drini Gashi u bë kosovari i parë që iu bashkua Gardës Kombëtare të Ajovas, në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror Kosovë-Ajova, që funksionon që nga viti 2011.

Rrugëtimi i tij është i lidhur ngushtë me jetën në Ajova gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës, studimet në ShBA dhe familjen, ndërsa babai dhe të afërmit kanë shërbyer në UÇK. Një bursë në Des Moines Area Community College dhe procesi i emigracionit i mundësuan realizimin e ëndrrës për t’u angazhuar në ushtrinë amerikane.

Në një intervistë për Klankosova.tv, Drini thekson rëndësinë e përgjegjësisë që mbart ky angazhim dhe ndikimin e figurave udhëheqëse si gjenerali në pension Timothy Orr, si dhe mesazhin e tij për kosovarët.

INTERVISTË:

Pyetje: Ju jeni kosovari i parë që i bashkoheni Gardës Kombëtare të Ajovas. Si e përjetoni këtë përgjegjësi dhe çfarë domethënie ka për ju?

Përgjigje: Kjo ka qenë një përvojë jashtëzakonisht pozitive dhe kam marrë shumë mbështetje e inkurajim nga shumë njerëz. Për mua, kjo ka qenë edhe një kujtesë se sa me fat jam që më është dhënë kjo mundësi. Ndihem thellësisht mirënjohës për mundësitë që më janë ofruar dhe për përkrahjen që kam marrë. 

Kjo mbështetje më krijon një ndjenjë detyrimi që të shkëlqej gjatë karrierës, jo thjesht “ta kryej” si rutinë, por të jap maksimumin, të rritem dhe të tregoj rezultate.

Pyetje: Sa ka ndikuar shembulli i babait tuaj dhe historia familjare në vendimin tuaj për këtë rrugëtim?

Përgjigje: Babai im ka pasur një ndikim shumë të madh dhe shumë pozitiv në vendimin tim për t’u përkushtuar në një rrugë shërbimi ushtarak. Ai u rrit duke siguruar jetesën nga bujqësia në fshatin Studenicë dhe arriti të bëjë shumë më tepër sesa ai vetë apo kushdo tjetër do ta kishte imagjinuar. Shërbimi ushtarak i hapi rrugë për edukim dhe trajnim, duke i zgjeruar aftësitë dhe duke i mundësuar të kontribuojë më efektivisht.

Po ashtu, edhe disa anëtarë të tjerë të familjes kanë shërbyer në UÇK dhe më kanë mësuar se, sidomos në kohë krizash, njeriu duhet të jetë i gatshëm të shërbejë për të mbrojtur lirinë. Një rol shumë të rëndësishëm ka pasur edhe gjeneral Timothy Orr, i cili për babain tim është si vëlla e për mua si xhaxha. Ai ka qenë figurë qendrore dhe model udhëheqjeje, një shembull i përgjegjësisë dhe përkushtimit.

Pyetje: Pas kthimit në Kosovë, çfarë ju bëri që ta ruani lidhjen me Ajovën dhe të vendosni të riktheheni për studime dhe shërbim?

Përgjigje:Pasi u ktheva në Kosovë në vitin 2018, me kalimin e kohës fillova ta ndjeja gjithnjë e më shumë mallin për Amerikën, sidomos për Ajovën. Vitet e mia formuese i kalova në ShBA dhe kisha marrë shumë nga kultura dhe mënyra amerikane e të menduarit. Lidhja ishte aq e fortë, sa edhe shokët e klasës më kishin vënë nofkën “Amerikani”.

Kur përfundova shkollën e mesme, e pashë seriozisht mundësinë e kthimit. Mora një bursë të plotë në Des Moines Area Community College nga presidenti i kolegjit, Robert Denson, i cili ishte shumë aktiv në partneritetin Ajova-Kosovë.

Sa i përket shërbimit ushtarak, kjo ka qenë gjithmonë një ëndërr për mua, por më dukej e largët. Me marrjen e statusit të rezidentit të përhershëm, kjo ëndërr u bë realitet dhe menjëherë fillova hapat për t’u futur në shërbim.

Pyetje: Cila ka qenë sfida më e madhe gjatë këtij procesi?

Përgjigje: Sfida më e madhe ka qenë të vendos se cilin drejtim konkret të karrierës të ndjek. Ushtria amerikane, e veçanërisht Garda Ajrore, ofron shumë mundësi të shkëlqyera. Sfidë ka qenë planifikimi se si t’i shfrytëzoj sa më mirë trajnimet dhe mundësitë edukative, në mënyrë që të kontribuoj sa më shumë.

Pyetje: Çfarë përfaqëson për ju partneriteti Ajova-Kosovë?

Përgjigje: Ky partneritet është një shembull i shkëlqyer i diplomacisë që funksionon realisht. Ka sjellë rezultate konkrete në edukim, biznes, bujqësi dhe natyrisht në aspektin ushtarak. Është edhe një rikujtim i rëndësisë së mbështetjes amerikane për Kosovën dhe i njerëzve që kanë ndërtuar themelet që sot më kanë hapur këto mundësi.

Pyetje: Si ndiheni sot duke përfaqësuar Kosovën në radhët e Gardës Kombëtare të Ajovas dhe çfarë mesazhi keni për kosovarët?

Përgjigje: Ndihem jashtëzakonisht mirënjohës dhe i bekuar. T’i bashkohesha ushtrisë amerikane ka qenë një ëndërr e kahershme për mua. Mesazhi im për kosovarët është se shërbimi ushtarak nuk është vetëm mundësi për zhvillim personal dhe profesional, por edhe një detyrim moral.

Kosova, në shumë aspekte, ia detyron ekzistencën e saj Amerikës. Ndërhyrja amerikane, roli udhëheqës në ndërtimin e shtetit dhe prania e vazhdueshme janë garancia më e fortë për paqe dhe siguri. Për këtë arsye, ne kosovarët i kemi borxh Amerikës një respekt të veçantë, pothuajse familjar. Përfundimisht, nuk ka nder më të lartë sesa t’i shërbesh një shteti dhe një populli liridashës

Të ngjashme

Të fundit