Simic, ish-qendërmbrojtësi i Kombëtares së Kroacisë, e nisi karrierën te GNK Dinamo Zagreb, ndërsa në vitin 1999 u transferua te Interi për rreth 11 milionë euro. Me klubin zikaltër ai zhvilloi 91 ndeshje dhe shënoi katër gola.
Në vitin 2002 kaloi te rivali i qytetit, Milani, për rreth 5 milionë euro. Pikërisht te kuqezinjtë ai përjetoi periudhën më të suksesshme të karrierës, duke luajtur 129 ndeshje në gjashtë vite dhe duke fituar gjashtë trofe, përfshirë dy herë Ligës së Kampionëve.
Klubet e fundit në karrierën e tij ishin AS Monaco (2008–2010) dhe rikthimi te Dinamo Zagrebi në vitin 2010, kur edhe u tërhoq nga futbolli aktiv.
Një hap larg Juventusit
Simic kujtoi edhe një episod pak të njohur nga fillimi i karrierës së tij ndërkombëtare, duke zbuluar se ishte shumë pranë transferimit te Juventus.
“Do t’ju tregoj diçka që pak njerëz e dinë. Para se të luaja për Interin dhe Milanin, isha shumë afër Juventusit. Në vitin 1996 u ula në zyrë me drejtuesit e tyre Moggi, Giraud dhe Bettega dhe isha gati të nënshkruaja”, tha ai.
Megjithatë, transferimi nuk u realizua. “Familja ime vendosi që ishte më mirë të mos shkoja. Isha vetëm 20 vjeç dhe lufta sapo kishte përfunduar. Në Itali arrita vetëm pas Kupës së Botës 1998. Para asaj gare ndoshta vetëm tre për qind e njerëzve në botë e dinin për Kroacinë, ndërsa një muaj më vonë kjo shifër u rrit në 30 për qind. Çerekfinalja kundër Gjermanisë ishte e paharrueshme dhe në fund të gjithë qamë nga lumturia”, deklaron ai.
Mbërritja te Interi dhe debutimi në San Siro
Në janar të vitit 1999 ai nënshkroi me Interin dhe kujton se për të ishte një ëndërr.
“Isha ulur në dhomën e zhveshjes pranë Ronaldo Nazario, Clarence Seedorf dhe Javier Zanetti. Nuk kisha qenë kurrë më parë në “San Siro”, kështu që mendova të dilja herët në fushë për t’u ambientuar. Por ne u ngrohëm brenda dhe unë dola në fushë vetëm një minutë para fillimit të ndeshjes. Kur e pashë stadiumin për herë të parë, mbeta i mahnitur”.
Megjithatë debutimi nuk ishte i lehtë, ku madje nga një gabim i tij, erdhi një gol.
“Pas rreth 20 minutash, Filippo Maniero shkoi pas një topi të gjatë dhe unë u vonova. Ai gjuajti menjëherë dhe shënoi. Mendova, nëse këtu mjafton t’i japësh sulmuesit një centimetër hapësirë që të shënojë, atëherë mund të kthehem menjëherë në shtëpi”.
Ai kujton gjithashtu atmosferën e mirë në skuadër, që kishte te Interi i atyre viteve.
“Lojtarët nga Amerika e Jugut më pranuan si një nga të vetët. Ivan Córdoba ishte një mik shumë i mirë, ndërsa Zanetti më ftoi në shtëpinë e tij për Vitin e Ri”.
Milani, Inzaghi dhe “gara e elegancës” – dhe Ancelotti dhe triumfet në Ligën e Kampionëve
Te Milani ai krijoi miqësi të shumta, veçanërisht me Filippo Inzaghi.
“Isha shumë mirë me Pippon. Kur dilnim bashkë, çdo dhjetë minuta i afrohej ndonjë vajzë. Pippo ishte numri një me femra”.
Ai kujtoi edhe atmosferën e veçantë në dhomën e zhveshjes së Milanit, madje edhe shakatë.
“Kishim edhe gara elegance. Nëse dikush vinte me xhinse jashtë mode, zhdukej shpejt. Madje kishte raste kur disa të brendshme që nuk i plotësonin standardet përfundonin të varura në mes të dhomës së zhveshjes”.
Kur u pyet se kush ishte më elegant, ai përmendi Kakha Kaladze, Marco Borriello dhe Andrea Pirlo.
Šimić kujtoi edhe sukseset e Milanit në Ligën e Kampionëve në vitet 2003 dhe 2007.
“Magjia e vitit 2003 u krijua falë gjenialitetit të Carlo Ancelotti, i cili e zhvendosi Pirlon në një rol para mbrojtjes. Ai ishte një vizionar, një figurë atërore dhe një person i jashtëzakonshëm”.
Në vitin 2007 ai pranoi se nuk ishte i kënaqur me minutazhin.
“Luaja shumë pak. Nga natyra jam më shumë mbrojtës qendror ose në një sistem me tre mbrojtës. Si anësor nuk mund t’i tregoja cilësitë e mia”.
Jeta pas futbollit
Pas përfundimit të karrierës, Simic provoi role të ndryshme në futboll. Për një kohë punoi edhe te Palermo si këshilltar i klubit.
“Ishte e vështirë të punoje me presidentin Maurizio Zamparini. Ai më thoshte: ‘Shko te trajneri dhe thuaji ta zëvendësojë atë lojtar’. Unë nuk isha dakord me këtë. Nuk mund të ndërrosh trajnerin çdo tre ndeshje”.
Sot ai është larg futbollit dhe i përkushtuar biznesit familjar.
“Nuk jam më skaut për Milanin dhe as nuk punoj për Dinamon. Familja ime zotëron rreth 70 për qind të tregut kroat për shishe të mëdha uji – ato që përdoren në zyra dhe shtëpi. Unë dhe vëllai im zotërojmë gjithashtu 22 kafene”, tregon ai.
Familja, suksesi më i madh
Simic thotë se arritja më e madhe në jetën e tij është familja. Ai dhe bashkëshortja Jelena kanë katër djem, tre prej të cilëve janë futbollistë.
“Roko ka luajtur në Ligën e Kampionëve në moshën 18-vjeçare dhe tani është te Karlsruher SC. Viktori luan në Sllovaki, ndërsa Nikolasi është te Dinamo Zagrebi. Ai ka talent të madh, por edhe probleme me gjurin. Në jetën e një futbollisti asgjë nuk është e sigurt”.
Ai foli me shumë emocion edhe për djalin e tij më të vogël, Davidin.
“Kur lindi, na thanë se kishte mundësi të kishte sindromën Down. Ishte një tronditje. Një ditë më vonë kjo u konfirmua. Dhjetë vjet më vonë, Davidi është shumë i pavarur. Shkon në shkollë me një asistent dhe i bën vetë detyrat”.
“E do shumë Coca-Colën – mamaja e tij ia ndalon, por ai fshihet dhe e pi. I pëlqen edhe pica dhe bën sport me mua. Ne kemi mësuar shumë prej tij. Nuk mund ta imagjinoj jetën pa Davidin. Ai më ka mësuar se kur e do dikë, nuk numëron sa kromozome ka ai person. Ndërsa ne të tjerët gjithmonë llogarisim gjithçka”, përfundoi Simic. /Telegrafi/














