8 C
New York
Saturday, December 28, 2024

Buy now

Nga sot serbët me pasaporta ilegale të lëshuara nga Serbia për Kosovën mund të udhëtojnë pa viza

- Advertisement -

Ambasadori i Serbisë në Bashkimin Evropian, Danijel Apostoloviç, ka thënë se nga kjo e diele serbët e Kosovës që mbajnë pasaporta  të Serbisë që lëshohen nga Zyra Koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ku sipas të cilave “Kosova është pjesë e Serbisë”, do të mund të udhëtojnë në vendet e BE-së.

“Që nga sot qytetarët tanë nga Kosova, posedues të pasaportave biometrike të lëshuara nga Administrata Koordinuese për Kosovë më në fund mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së. Mendoj se ky është një lajm i mirë, sepse ka hequr padrejtësinë dhe trajtimin diskriminues të BE-së ndaj tyre”, tha Apostoloviç në një intervistë për mediumin serb “Kosovo Online”, transmeton albanianpost.

Apostoloviç theksoi kjo është një fitore diplomatike e Serbisë, meqë sipas tij, Kosova e kundërshtoi miratimin e këtij vendimi me “argumente të pakuptimta”.

“Edhe një herë Kosova ka treguar qëndrim jo konstruktiv dhe mbi të gjitha çnjerëzor ndaj qytetarëve. Për fat të mirë argumentet e palës sonë fituan”, shtoi ai.

“Falënderojmë edhe anëtarët e shumtë të Parlamentit Evropian që e miratuan këtë vendim me shumicë të madhe votash, 406 prej tyre ishin pro dhe 97 kundër”.

Gjatë muajit korrik,  Këshilli i Bashkimit Evropian pati marrë vendim që të ua liberalizojë vizat serbëve të Kosovës që mbajnë pasaporta të Serbisë që lëshohen nga Zyra Koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ku sipas të cilave Kosova është pjesë e Serbisë.

Lajmi ishte bërë i ditur përmes një komunikate për media nga Këshilli Evropian.

“Miratimi i sotëm nga Këshilli përfundon procesin legjislativ. Me hyrjen në fuqi të rregullores, e cila do të ndodhë në ditën e 20-të pas botimit në Fletoren Zyrtare të BE-së, ajo do të bëhet e zbatueshme në të gjitha shtetet anëtare të BE-së”, thuhej në komunikatë. 

Më 6 mars, Komisioni për Punë të Brendshme në Parlamentin Evropian (PE) caktoi eurodeputetin slloven nga radhët e Aleancës së Socialistëve dhe Demokratëve (S&D), Matjaz Nemec, raportues për largimin e regjimit të vizave për serbët e Kosovës që posedojnë pasaporta ilegale.

Qeveria e Kosovës kishte thënë se Komisioni Evropian nuk e ka konsultuar dhe informuar në lidhje me propozimin për heqjen e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë të cilët jetojnë në Kosovë.

Ekzekutivi e kishte konsideruar “shkelje të papranueshme të sovranitetit”, ndërsa i kishte bërë thirrje BE-së që pasaportat serbe t’i trajtojë si të paligjshme.

Qytetarët e Kosovës nga 1 janari 2024, kanë fituar mundësinë që të lëvizin pa viza nëpër vendet e Bashkimit Evropian (BE), por lëvizja e lirë pa viza nuk kishte vlejtur edhe për poseduesit e pasaportave ilegale serbe.

Në pasaportat e lëshuara nga Serbia për serbët që jetojnë në pjesën veriore të territorit kosovar, vendbanimet e Kosovës figurojnë si vendbanime në territorin e Serbisë.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit