Propozimi i sendërtuar mbi pamundësinë matematikore në secilin tabor politik për të ndërtuar shumicë parlamentare – as Vetëvendosja, as partitë nga blloku ish-opozitar – Abdixhiku u thirr në mundësinë e një qeverie tranzicionale jetëshkurte deri në zgjedhjet e reja në mars të vitit tjetër, me përfshirjen e të gjitha partive politike. S’do shumë mend ajo u refuzua në frymat e para të artikulimit.
Dy muaj më vonë, Abdixhiku e mbushi mish atë që ishte veç propozim-skelet: e ribrendoi si “Qeveri të Unitetit” pasi ajo “tranzicionale” mbante tingëllima jobashkëkohore dhe shfaqej e papërshtatshme.
Ditë më parë i dha pesëmbëdhejtë pika të kësaj se si e konceptonte këtë “Qeveri të Unitetit” – deri në pika ku edhe me Vetëvendosjen në qeverisje të depolitizonte bordet e ndërmarrjeve publike të politizuara nga vetë Vetëvendosja. Riparimi i marrëdhënieve me aleatët me Vetëvendosjen në qeverisje. Nisja e procedurave të gazifikimit të Kosovës me Vetëvendosjen në qeverisje. Etj. Vetëvendosja refuzoi menjëherë.
Enter Memli Krasniqi…
Lumir Abdixhiku shprehet kategorik se partitë ish-opozitare nuk i kanë numrat. Këtë Abdixhiku e thotë për të vërtetë vetëevidente. Por, ndryshe shprehet rival/koleg-u i tij nga partia e dytë, PDK-ja, Memli Krasniqi.
“Nëse i ke ti 19, unë i bëj 61”, tha para gazetarëve Memli Krasniqi, kur u pyet nëse ka parë dhe çfarë mendon për propozimin e Abdixhikut për Qeveri të Unitetit. “Nuk e kam parë”, tha Krasniqi, dhe iu kthye kërkesës për qeveri të ish-opozitës, në të cilën, sipas tij, pamundësia e bërjes vjen nga LDK-ja.
“Numrat i kemi sepse matematika është kokëfortë, nëse LDK i ka 19 deputetë që e votojnë qeverinë e opozitës së kaluar atëherë numrat i kemi sepse bëhemi 51 dhe unë marr përsipër me i pas edhe 10 vota tjera nga partitë minoritare, po jo nga Lista Serbe, kështu që matematika është shumë e thjeshtë , numrat janë nëse ka vullnet nëse s’ka vullnet numra s’ka kurrë “, u shpreh Krasniqi për RTV21.
“Nuk e kam parë planin me të thënë të drejtën , për sa i përket propozimit unë jam deklaruar disa herë, një propozim i tillë për të pasur mundësinë e trajtimit serioz para se gjithash duhet me u shpreh të gjitha palët që kanë vullnetin dhe automatikisht që lëvizja Vetëvendosje e ka refuzuar mua më vjen keq që një gjë e tillë automatikisht bëhet e pamundshme sepse ideja e qeverive të tilla nënkupton që të gjitha palët të jenë në tavolinë dha ta diskutojnë, momentin kur mungon Vetëvendosja i bie që kthehemi të propozimi që e kemi dhënë si PDK, qeveria e partive t ëish opozitës.
Unë gjithmonë jam i hapur për ta diskutuar qeverinë që do ta krijonim si PDK me LDK-në AAK-në dhe Nismën dhe një gjë të tillë jo vetëm që e kemi vullnetin por e kemi edhe përkushtimin për ta jetësuar nëse edhe LDK e ka vullnetin e tillë.”, tha Krasniqi.