Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur takimet me liderët e partive parlamentare.
Pas mandatimit të Glauk Konjufcës për të tentuar formimin e qeverisë së re, Osmani ka takuar kreun e PDK-së, Memli Krasniqi.
Takimin e Krasniqit me Osmanin e ka konfirmuar për Gazeta Blic, Faton Abdullahu, zëdhënës i PDK-së.
“Po, sot pasdite, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është takuar me Presidenten Osmani, për t’ia përsëritur qëndrimin e qartë dhe parimor të PDK-së, tashmë të bërë publik edhe përmes komunikatës zyrtare, se në Kuvendin e Kosovës nuk ekziston shumicë për formimin e një qeverie të re nga kjo legjislaturë. Në këtë rrethanë, çdo mandatim i radhës për këdo nga Lëvizja Vetëvendosje do të ishte vetëm një përpjekje e kotë për të fituar kohë, një zvarritje e panevojshme që vetëm se do ta thellonte krizën politike, pasigurinë institucionale dhe humbjen e besimit të qytetarëve në institucione”, tha Abdullahu.





