Raporti i përfaqësuesit të lartë të BE-së Josep Borrell lidhur me masat ndëshkuese të Kosovës, tashmë është në duart e shteteve anëtarë të bllokut evropian.
Këto sanksione i janë vendosur vendit që një vit.
E më së shumti, masat po prekin qytetarët e shtetit më të ri në Evropë.
“E kemi thënë shumë herë se këto masa nuk prekin institucionet e Kosovës, masat dëmtojnë qytetarët e Kosovës, dhe, mirëqenien e tyre sepse janë mijëra fonde të Bashkimit Evropian, të cilat janë të pezulluara dhe nuk arrijnë të përfshihen në projekte kapitale në Kosovë. Tash ju mbetet shteteve anëtare të BE-së, edhe pas ndryshimeve të cilat pritet të ndodhin në Bashkimin Evropian, duhet të shohin se cili është disponimi i shteteve anëtare të BE-së për votim”, ka thënë deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.
Të njëjtin mendim e kanë edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
“ Kjo ish dashtë të ndodh më herët, kjo nuk varet vetëm nga Borrelli, ju e dini se aty janë 27 shtetet e Bashkimit Evropian ku duhet të votohet, mirëpo qeveria duhet të punon më shumë që sanksione të ketë Serbia e jo Kosova, sepse ju e dini me 24-shtator çfarë ka ndodhur nga serbët, dhe,ata nuk kanë sanksione”, ka thënë deputetja Rrezarta Krasniqi.
Ndërsa, Time Kadrijaj, nga AAK-ja, i quan veprimet e qeverisë të pamatura.
“Veprimet e pamatura të kësaj qeverie na kanë vendosur sanksione, dhe tash për me u kthy në situatën në të cilën kemi qenë, Kosovës i duhet me bë një sanksion. Këto janë politika të dështuara të kësaj qeverie në raport me politikat e jashtme, nuk e kemi asnjë njohje, nuk e kemi asnjë anëtarësim”, ka thënë Kadrijaj.
Por, këto akuza të opozitës, deputeti nga radhët e LVV-së, Driton Hyseni, i mohon, pasi që sipas tij, qeveria dhe deputetët janë duke e pritur ardhjen e përfaqësuesve të rinjë të BE-së, për të diskutuar këtë çështje.
“Do të jetë e nevojshme qysh në takimet e para që do t’i kemi me përfaqësuesit e BE-së, sidomos me zyrtarët që kanë marrë postet tani nga Korriku e tutje, të bëjmë më të mirën e mundshme që të bindim të gjithë ata për qasjen me Kosovën, për vlerat evropiane që ne përqafojmë, sepse ne jemi të zotuar që ato t’i shtyjmë sa më përpara sa është e mundur, dhe në këtë drejtim Kosova ka nevojë që të ketë relacione të shëndosha me BE-në, por njëhkosisht edhe BE-ja ta ketë çasjen që Kosova ka nevojë”, është shprehur Hyseni.
Bashkimi Evropian, masat ndaj Kosovës i vendosi pas veprimeve të fundit të Qeverisë në katër komunat veriore, në të cilat kryetarët shqiptar dolën në godinat komunale, ku pati goxha tensione.