Ne jemi tashmë më pak se shtatë muaj larg finales së Kupës së Botës 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë, me shortin e fazës së grupeve që do të mbahet më 5 dhjetor në Uashington DC.
42 kombëtare janë kualifikuar, ndërsa katër ekipe nga “play-off”-et e UEFA-s dhe dy fitues ndërkontinentalë do ta plotësojnë listën në mars.
Ky turne pritet të jetë i fundit për Lionel Messin, ndërsa Lamine Yamal, Vinicius Jr, Ousmane Dembele dhe Kylian Mbappe do të synojnë të spikasin. Cristiano Ronaldo pritet të bëhet lojtari i dytë në histori, pas Messit, që merr pjesë në gjashtë Kupa Bote.
Këta janë disa nga yjet që nuk do të marrin pjesë në Kupën e Botës 2026:
Dominik Szoboszlai (Hungari)
Pavarësisht pesë kontributeve në gola në gjashtë ndeshje, Hungaria dështoi për shkak të pakujdesisë dhe nuk arriti të rikthehej në Botëror pas 44 vitesh.
Pierre-Emerick Aubameyang (Gabon)
Njëri nga sulmuesit më të mirë që nuk ka luajtur kurrë në Botëror, do të pensionohet pa e përjetuar këtë garë. Ai shënoi shtatë gola, përfshirë katër ndaj Gambisë, por Gaboni u ndal në “play-off”.
Victor Osimhen (Nigeri)
Nigeria do të mungojë për herë të dytë radhazi pasi u eliminua nga DR Kongo në penallti, pavarësisht se ishte favorite pas fitores ndaj Gabonit.
Alexis Sanchez (Kili)
Kili përfundoi në vendin e fundit në kualifikimet e CONMEBOL me vetëm 11 pikë. Sanchez u pengua nga lëndimet dhe u la jashtë skuadrës pas ardhjes së trajnerit të ri.
Benjamin Sesko (Slloveni)
Sllovenia, pa cilësi në repartet e tjera dhe me mungesë shërbimi për Seskon, nuk arriti të thyejë mungesën e gjatë që nga 2010-ta.
Keylor Navas (Kosta Rika)
Megjithëse pësoi vetëm gjashtë gola në gjashtë ndeshje, mungesa e golave në sulm bëri që Kosta Rika të fitonte vetëm një ndeshje dhe të përfundonte e treta pas Hondurasit dhe Haitit.
Serhou Guirassy (Guinea)
Guinea shpresonte që forma e tij e shkëlqyer në klub të vazhdonte, por ai shënoi vetëm një gol, teksa ekipi u rendit i katërti pas Algjerisë, Ugandës dhe Mozambikut./Telegrafi/













