Gjykata Themelore në Prishtinë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj Kushtrim Salihut, Xhelil Muratit, Labinot Dedushit, Valëzim Mziut, Driton Gashit, Ismet Jashanicës, Enver Elshanit, Rrahman Ollurit dhe Metë Bytyqit, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik” dhe “Mashtrim”.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.
Edhe pse punimet nuk janë realizuar sipas kontratës, kjo dëshmohet në bazë të gjendjes faktike në fushën e futbollit të lartcekur”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
Tutje thuhet se i pandehuri Driton Gashi, në cilësi të menaxherit të kontratës nga kompania “DINO”, edhe pse ka qenë në dijeni se punimet nuk janë kryer sipas paramasës të cekur në kontratë, ka përpiluar raporte kinse punimet kanë pëfunduar dhe me këtë rast janë bërë pagesat nga AK, Komuna e Lipjanit, edhe pse këto punime nuk ishin realizuar sipas kontratës.
“Pas pranimit teknik të punimeve, përfaqësues nga Komuna e Lipjanit me datë 31.08.2020, kanë lidhur kontratë me OE “Konaku Grup” me titull “Rregullimi i stadiumeve në Dobraj të Madhe dhe Magure”, faza e dytë në vlerë prej 118.000. 114.03 euro, ku në fushën në Magure për këtë projekt kanë qenë të parapara 50.983.12 euro, të pandehurit Labinot Dedushi, tani në pozitën e menaxherit të kontratës ka përpiluar raport kinse OE “Konaku Grup” i ka realizuar punimet edhe pse pozicionet e parapara me kontratë nuk janë realizuar”, thuhet më tej në kërkesën e Prokurorisë.
Po ashtu, Prokuroria pretendon se të pandehurit Ismet Jashanica, Enver Elshani dhe Rrahman Olluri, në cilësi të anëtarëve të komisionit për pranim teknik, më 4 tetor 2021, kanë bërë pranimin teknik dhe kanë lëshuar certifikatë të përdorimit edhe pse punimet e parapara me kontratë nuk janë realizuar.
Ndërsa, i pandehuri Metë Bytyqi thuhet se në cilësi të menaxherit të kontratës nga kompania punëkryerëse “Konaku” Sh.p.k. edhe pse ka qenë në dijeni se punimet nuk janë kryer sipas paramasës së cekur në kontratë dhe ka përpiluar raporte kinse punimet kanë përfunduar, në këtë rast ka bërë pagesat nga AK, Komuna e Lipjanit, edhe pse këto punime nuk ishin realizuar sipas kontratës.
Me këto veprime, të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i Kodit Penal, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim” nga neni 415, par.2 i Kodit Penal dhe “Mashtrimi” nga neni 335, paragrafi 5 i Kodit Penal.