Teuta Elshani, e bija e shkrimtarit dhe poetit Ymer Elshani, i cili u masakrua në Poklek nga forcat serbe së bashku me familjen e tij gjatë luftës në Kosovë, ka shënuar një tjetër sukses të madh në karrierën e saj profesionale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas 26 vitesh pune të palodhur, Elshani ka avancuar në pozitën e inxhinieres strategjike, një nga nivelet më të larta dhe më kërkuese në fushën e saj profesionale, duke mbajtur aktualisht edhe rolin e R&D Technical Leader në një kompani gjigante amerikane.
Në një rrëfim emocional dhe frymëzues, Elshani ka kujtuar rrugëtimin e saj jetësor, i cili nisi në rrethana tragjike gjatë luftës në Kosovë, kur humbi tërë familjen dhe u përball me zgjedhjen mes dorëzimit dhe mbijetesës. “Zgjodha të notoja”, shprehet ajo, duke theksuar se përtej mbijetesës, ajo ndërtoi një jetë të re përmes punës, dijes dhe këmbënguljes.
Me një diplomë të fituar në Kosovë në kushte lufte dhe një drejtim delikat si kimia, ajo arriti të ndërtojë karrierë në SHBA, duke punuar krahas profesionistëve të nivelit më të lartë botëror, shumica me tituj doktorature.
Sot, Teuta Elshani konsiderohet shembull i fuqishëm i rezistencës, përkushtimit dhe suksesit, duke dëshmuar se edhe nga dhimbja më e thellë mund të lindë forcë për të ecur përpara dhe për të ndërtuar një të ardhme të denjë.





