Gjashtë takime të Komisionit të Përbashkët Kosovë-Serbi për të zhdukurit me dhunë gjatë luftës, nën kryesimin e Bashkimit Evropian, do të duhej të mbaheshin deri në qershor.
Por ende nuk është mbajtur as takimi i parë, përkundër darkordimit për termat e referencës në dhjetorin e vitit të kaluar.
Më 15 janar, duke refuzuar pjesëmarrjen, Serbia pamundësoi punimet e komisioni jo-politik dhe që atëherë nuk pati më njoftime për përpjekje të reja.
Tash e disa muaj Bashkimi Evropian përsërit përgjigjen e njëjtë për kohën kur mund të mbahet takimi i parë.
“Do ta kumtojmë në kohën e duhur”, ka thënë Bashkimi Evropian.
Bllokimi i punës së komisionit nga Serbia, sipas kabinetit të zëvendëskryeministrit në detyrë për dialog Besnik Bislimi “demaskoi qasjen destruktive dhe mungesën e vullnetit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë”.
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me emisarin Sorensen në lidhje me këtë çështje e cila kërkon edhe angazhimin e BE-së por që nuk mund të ecë përpara pa reflektim nga ana e Serbisë. Mos përmbushja e termave të referencës nga Beogradi zyrtar është shkelje e qartë e dakordimit të dhjetorit të vitit të kaluar, ndërsa mungesa e shtyrjes përpara të një çështjeje të tillë urgjente e të karakterit humanitar siç shprehet edhe në Aneksin e Zbatimit të Ohrit, është tregues i refuzimit të Serbisë ndaj këtij aneksi shtojcë të Marrëveshjes Bazë dhe kundërshtimit të tyre ndaj normalizimit të marrëdhënieve e fqinjësisë së mirë”–Klisman Kadiu, Këshilltar i zëvendëskryeministrit për dialog
Pasi tha se Serbia më 2011 kishte nënshkruar konventën e OKB-së për mbrojtje nga zhdukja dhe nuk e zbaton atë, profesori Dritëro Arifi theksoi se kur nuk ka presion shteti fqinj shpërfill gjithçka.
“Ka një neglizhencë totale nga Bashkimi Evropian në trajtimin e vlerave humanitare, pra ky është problemi. Dhe duke e ditur një shtet sic ështe Serbia që nuk respekton as marrëveshjet ndërkombëtare, as vlerat njerëzore dhe humanitare, unë e shoh të pamundur të realizohet një marrëveshje e tillë në konditat çfarë gjendet shteti serb”, ka thënë Dritëro Arifi.
Profesori Arifi nuk pret zhvillime pozitive, teksa përmend që Serbia politizon secilën temë.
“Çdo problem teknik me Serbinë është në nivel politik, pra është nivel i luftës që prek gjithçka. Kosova e ka të pamundur të bëj më shumë. Kosova e ka bërë, deri diku, po themi, maksimumin sa ka mundur ta bëjë. Por, presionin politik dhe ligjor mund ta bëjë vetëm Bashkimi Evropian, sepse ai është e fasilituesi, por është edhe financuesi më i madh i vendeve të Ballkanit Perëndimor, respektivisht Kosovë, Serbi. Dhe, nëse BE-ja e mban një neutralitet karshi çështjes humanitare unë e shoh si një çështje që nuk do të zgjidhet edhe për një kohë shumë të gjatë”, ka thënë Dritëro Arifi, profesor.
Me marrëveshjen bazë dhe shtojcën e Ohrit, çështja e personave të zhdukur ishte cilësuar humanitare dhe me nevojë urgjente për t’u zgjidhur.
Në këtë kontekst, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq më 2 Maj 2023 u pajtuan për një deklaratë të përbashkët për të zhdukurit, por e cila mbeti vetëm në letër. /Dukagjini/