21.5 C
New York
Monday, April 28, 2025

Buy now

Nga 13 në 7 anëtarë, cilat janë ndryshimet në Ligjin e ri për Këshillin Prokurorial?

- Advertisement -

Nga 13 anëtarë që aktualisht ka Këshilli Prokurorial i Kosovës, me ligjin e ri për këtë institucion, ky numër do të bie në 7 nga viti 2026.

E Kryeprokurori i Shtetit do ta humbë fuqinë brenda Këshillit.

Ndryshimet në projektligjin për këtë instancë, që kaloi edhe filtrin e Gjykatës Kushtetuese, nuk e parashohin fare kryeprokurorin e shtetit në rolin e anëtarit të KPK-së.

“Anëtarët e Këshillit janë anëtarë në kapacitet individual dhe nuk i përgjigjen Kryeprokurorit të Shtetit, sa i përket detyrave dhe përgjegjësive si anëtarë të Këshillit. Kryeprokurori i Shtetit nuk përdor autoritetin dhe kompetencat e tyre për të ndikuar drejtpërdrejtë ose në mënyrë të tërthortë, votimin nga anëtarët e Këshillit” – Projektligji i ndryshuar për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Megjithatë në mesin e propozimeve, nuk ishte përfshirë vendosja e një afati kohor për dekretimin e kryeprokurorit të shtetit, sepse në ligjin aktual dhe me plotësim ndryshimet nuk ka ndonjë afat se deri në çfarë kohë pozita e kryeprokurorit të shtetit mund të mbesë me ushtrues detyre.

Që nga prilli i viti 2022 e edhe më tutje kjo pozitë është me ushtrues detyre, që është Besim Kelmendi.

Liridon Salihu, hulumtues në GLPS thotë se nëse do ishte përfshirë një dispozitë e tillë do e lehtësonte procedurën.

“Do të lehtësontë shumë procedurën për cështjen e dekretimin të kryeprokurorit të shtetit përkatësisht kandidatit për këtë pozitë, prandaj kjo ka qenë edhe si propozim tejet i rëndësishëm që do duhej të përfshihej në këtë projektligj, por që ka munguar vullneti institucional për përfshirjen e një dispozite të tillë”, ka deklaruar ai.

Astrit Kolaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se ky ligj duhet të gjejë zbatim edhe në praktikë.

“Nëse ka vullnet që ky Ligj të zbatohet në praktikë do të jetë fillimi i përfundimit të korporatizmit dhe kulturës të pandeshkueshmërisë në sistemin prokurorial, vlen të theksohet se propozimet që IKD kishte dërguar në vitin 2022,  për të kaluar reformën në Këshillin prokurorial të Kosovës, tani më u konfirmuan nga Gjykata Kushtetuese, 4 vite shkuan dëm, për shkak se nuk u morën për bazë e nuk u dëgjuan vërejtjet tona”, ka theksuar Kolaj.

Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte kundërshtuar miratimin e ndryshimeve në këtë projektligj, me arsyetimin se nuk janë marr parasysh propozimet e tyre dhe se qeveria e Kosovës, po synon që të bëjë bllokimin dhe defunksionalizimin e sistemit prokurorial.

Megjithatë nga ky institucion nuk kthyen përgjigje gjatë ditës, në rast se qëndrojnë edhe më tutje prapa këtij qëndrimi. /Dukagjini/

Të ngjashme

Të fundit