Në njoftim thuhet se, patent-shoferët kosovarë u njohën në Austri më 1 shtator 2023, me miratimin e marrëveshjes për krijimin e Bashkësisë së Transportit në nenin 23 të Ligjit për Patentë Shoferët (FSG).

“Bazuar në këtë, mbajtësit e patent-shoferëve kosovarë kanë të drejtën të drejtojnë automjetet përkohësisht në Austri. Nëse qëndrojnë mbi 6 muaj në Austri ose vendosin vendbanimin në Austri, duhet të konvertojnë patent-shoferin kosovar. Megjithatë, patent-shoferët kosovarë nuk ishin të barabartë me ata austriakë, ndaj konvertimi kërkonte një provim praktik të vozitjes”, thuhet në njoftim.

“Tani, me ndryshimin e rregullores përkatëse, që nga 1 marsi 2025, patent-shoferët e Kosovës të të gjitha kategorive do të jenë të barabartë me patent-shoferët austriakë. Kjo do të thotë se patent-shoferët kosovarë, që nga ky moment, mund të konvertohen në Austri pa pasur nevojë për një provim praktik të vozitjes, nëse qëndrohet mbi 6 muaj në Austri ose vendoset qëndrimi i përhershëm në Austri”.

Me këtë ndryshim të rregullores, Austria plotëson një kërkesë të rëndësishme dhe konkrete të ekonomisë dhe të gjithë atyre që posedojnë një patent-shofer kosovar, bëhet me dije nga amasada.