10.8 C
New York
Friday, November 14, 2025

Buy now

Nezir Kraki e lajmëroi në polici Parim Ollurin, ankohet që prokurori tha se s’ka elemente të veprës penale

- Advertisement -

Deputeti Nezir Kraki ka bërë të ditur se e ka lajmëruar në Polici analistin Parim Olluri.

Kjo pas rastit në T7 ditë më parë.

Kraki tha se prokurori i rastit ka thënë se nuk ka elemente të veprës penale.

Postimi i plotë:

Ndjekje penale deri në fund ndaj dukurive kriminale

Me datë 12.11. 2025, në emisionin « Pressing » në televizionin T7, siç besoj e keni parë, ndodhi një ngjarje skandaloze dhe e paprecedentë, e cila jo vetëm e uli në nivel të turpshëm standardin e debatit publik nga një pseudo gazetar, por paraqiti rrezik real për sigurinë time dhe integritetin tim personal.

Gjatë debatit, në mungesë totale të argumenteve dhe profesionalizmit, Parim Olluri, panelist i rregullt i emisionit në cilësinë e gazetarit, fillimisht nisi të më ofendonte me fjalë e shprehje që nuk do duhej të ekzistonin kurrë në fjalorin e një gazetari që vetdeklarohet i tille. Ai vazhdoi duke më quajtur « servil i Faton Pecit », « servil i Donika Gervalles », « rrugaq », « rrenc », « mashtrues » dhe etiketime të tjera fyese e shpifëse, për të cilat veçse jam duke finalizuar padinë për shpifje bashkë me ankesën në rregullatorët e mediave, në përputhje me legjislacionin e aplikueshëm.

Por, për habinë time dhe në sytë e opinionit, sjellja turpëruese e këtij pseudo gazetari nuk u ndal me kaq. Në një moment të debatit, ai eskaloi në nivel të frikshëm agresiviteti duke m’u drejtuar me fjalët « mshele gojën », « laper », e më pas u ngritë në këmbë me qëllim të qartë për të më sulmuar fizikisht. Vetëm ndërhyrja e panelistëve të tjerë dhe qëndrimi im dinjitoz bëri që ky akt agresioni të mos ndodhte para kamerave në një studio televizive.

Menjëherë pas emisionit, unë kam paraqitur rastin në polici, duke raportuar se ndaj meje i dyshuari Parim Olluri ka kryer veprën penale « Kanosja » nga Neni 181 i KPRK-së, si dhe veprën penale « Sulmi » në tentativë nga neni 187 paragrafi 1 lidhur me nenin 28 të KPRK-së. Deklarimet, sjellja dhe veprimet e tij plotësojnë tërësisht elementet e këtyre veprave penale dhe të tjera, një fakt që konsideroj se është i njohur për juristët, policët e sidomos për një prokuror që duhet të ushtrojë detyrën me integritet.

Për këtë arsye, jam thellësisht i shqetësuar nga informacioni zyrtar që i ështe dhënë Policisë nga prokurori i rastit se, përkundër që Prokuroria është njoftuar, veprimet janë me video dhe të para nga të gjithë qytetarët e Kosovës, i dyshuari nuk është ftuar fare atë ditë nga prokuroria për t’u intervistuar për veprimet e tij. Përkundrazi, Prokurori i jep udhëzime Policisë me arsyetimin absurd se « rasti nuk ka elemente të vepres penale » dhe sugjeron që të ngritet padi civile ndaj agresorit. Duke qenë përballë nje rasti kaq evident kanosjeje dhe sulmi të provuar me zë e figurë, konsideroj se arsyetimi i Prokurorit përbën një standard të papranueshëm drejtësie, sidomos jo në një vend ku Prokurori duhet të dëshmojë profesionalizëm dhe integritet.

Gjithashtu, është i quditshëm fakti i mos reagimit dhe dënimit të rastit nga mediat e gazetarët. A do të thotë kjo se dhuna fizike në media është normalizuar tashmë? I habitur kam mbetur poashtu edhe nga mos reagimi i shumicës dërmuese të kolegëve deputetë (duke përshirë edhe grupin paralmentar ku bëj pjesë). Sidoqoftë, përtej mediave dhe skenes politike, edhe më shqetësues është mos veprimi i Prokurorise, organit kompetent ligjzbatues që e ka për detyrë të bëjë ndjekjen penale ndaj cdo dukurie kriminale.

Nëse një deputet i Kuvendit të Kosovës, përfaqësues i popullit të Kosovës, trajtohet kështu, me neglizhencë, me mosveprim dhe me heshtje institucionale nga Prokuroria, atëherë çfarë mund të presë një qytetar i thjeshtë i këtij vendi ? A është ky mesazh se kushdo mund t’ju fyejë, shpifë, kanosë dhe t’ju sulmojë publikisht e drejtpërdrejt në televizion, pa asnjë pasojë ligjore dhe asnjë shqetësim nga Prokuroria?!

Unë nuk do të lejoj që ky rast të mbyllet në mënyrë të padrejtë dhe të turpshme. Do të kërkoj përgjegjësi institucionale, do të kërkoj rivlerësim të rastit dhe trajtim të tij sipas ligjit, jo sipas vullnetit individual të një prokurori të vetëm.

Në një shtet demokratik, askush nuk është mbi ligjin. As unë, as qytetari i thjeshtë, as pseudo gazetari i dyshuar, e aq më pak ai që e përdor ekranin televiziv si skenë për agresion, shpifje, kanosje dhe bën veprime kriminale.

Ky rast do të ndiqet deri në fund nga ana ime, me të gjitha mjetet ligjore sepse dhuna NUK DUHET TE NORMALIZOHET.

Me respekt,

Nezir Kraki

Të ngjashme

Të fundit